Një efektive 31-vjeçare e Policisë së Sigurisë Aeroportuale (PSA) në Argjentinë është arrestuar, pasi dyshohet se ishte pjesë e skemës kriminale të njohur si “vejusha e zezë”, ku gra joshin burra, u hedhin lëndë qetësuese në pije dhe më pas u vjedhin sendet me vlerë.
Sipas mediave argjentinase, Lucía Fernanda Díaz Da Mota u arrestua në banesën e saj në Ezeiza nga hetuesit e Policisë së Provincës së Buenos Aires.
Viktima është një 64-vjeçar nga Quilmes, i identifikuar si Cayetano. Dyshja ishte njohur përmes aplikacionit të takimeve Bumble, ku kishin lënë një takim. Fillimisht darkuan së bashku dhe më pas shkuan në apartamentin e burrit.
Sipas hetimeve, pasi konsumoi një pije, 64-vjeçari humbi ndjenjat. Kur u zgjua disa orë më vonë, shfaqi simptoma helmimi dhe përfundoi në spital.
Kur u kthye në banesë, ai zbuloi se i ishin vjedhur sende të shumta me vlerë. Kamerat e sigurisë së pallatit filmuan 31-vjeçaren duke dalë nga ndërtesa rreth orës 03:34 të mëngjesit me një valixhe, një çantë shpine dhe dy qese, ku dyshohet se kishte futur sendet e vjedhura.
Hetuesit arritën ta identifikonin të dyshuarën përmes pamjeve filmike, analizës së komunikimeve dhe dëshmive të mbledhura gjatë hetimit.
Autoritetet konfirmuan se Díaz Da Mota ishte efektive e Policisë së Sigurisë Aeroportuale, por ndodhej me leje mjekësore për shkak të trajtimit psikiatrik.
Gjatë kontrollit në banesën e saj, policia sekuestroi katër telefona celularë, parfume për meshkuj, dy valixhe, gjashtë ora dore për meshkuj dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së grabitjes.
Momenti i arrestimit:
Hetuesit po verifikojnë nëse sendet e sekuestruara u përkasin edhe viktimave të tjera të mundshme./Përshtati në shqip VoxNews
