Një debat për një vend parkimi përfundoi tragjikisht në Florida, ku një veteran 62-vjeçar i ushtrisë amerikane mbeti i vrarë pas të shtënave në parkingun e një dyqani Walmart.
Ngjarja ndodhi pasditen e së martës në zonën e North Lauderdale, ku Bart DiGuglielmo u përfshi fillimisht në një debat verbal me një grua. Sipas mediave amerikane, konflikti nisi për një vend parkimi dhe u përshkallëzua brenda pak çastesh.
Pamjet e publikuara në rrjet tregojnë momentin kur gruaja nxjerr armën dhe qëllon ndaj 62-vjeçarit, ndërsa ai ndodhej disa metra larg saj. Pas të shtënave, veterani shihet duke mbajtur barkun me duar para se të rrëzohet në tokë.
DiGuglielmo u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Sipas raportimeve paraprake, gruaja qëndroi në vendngjarje deri në mbërritjen e policisë dhe pretendon se ka vepruar në vetëmbrojtje. Autoritetet e Broward County Sheriff’s Office kanë nisur hetimet dhe po analizojnë pamjet filmike, si edhe dëshmitë e personave të pranishëm për të përcaktuar nëse do të ngrihen akuza penale.
Ngjarja ka rikthyer debatin në Shtetet e Bashkuara mbi përdorimin e armëve të zjarrit dhe përshkallëzimin e konflikteve të zakonshme në episode me pasoja fatale.
