Një tërmet me magnitudë 3.3 ballë të shkallës Rihter është regjistruar pasditen e kësaj të shtune në zonën e Komunës së Sinjës, në Bashkinë Berat.
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC), lëkundja sizmike është regjistruar në orën 14:43 dhe ka pasur një thellësi prej 5 kilometrash, çka e ka bërë atë të ndihet nga banorët e zonës dhe në disa vendbanime përreth.
Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar si pasojë e tërmetit.
Gjithashtu, autoritetet vendore nuk kanë njoftuar për incidente apo probleme të shkaktuara nga lëkundja. Megjithatë, institucionet përgjegjëse vijojnë të monitorojnë situatën dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin informacionet zyrtare në rast se do të ketë zhvillime të reja.

