Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për herë të parë lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke theksuar se e drejta e qytetarëve për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta.
Gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të krijimit të Prefekturës së Tiranës, Begaj u shpreh se zhvillimet aktuale në kryeqytet vijnë në një moment kur qytetarët po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore.
“Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarët po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore. Në respekt të pozicionit kushtetues dhe neutralitetit institucional, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me ligjet e vendit.
Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin publik. Korniza kushtetuese dhe shteti ligjor përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë.
Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtjen e Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit në interes të së ardhmes evropiane dhe vlerave euroatlantike të vendit”, deklaroi Begaj.
