Projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec vijon të jetë në qendër të debatit dhe kundërshtive në Shqipëri, ndërsa janë hedhur poshtë pretendimet për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ivanka Trump dhe Jared Kushner në këtë investim.
Sipas një deklarate të kompanisë Affinity Partners, ajo nuk ka asnjë rol në projektin që është bërë objekt protestash dhe polemikash publike në vend.
Pas një kërkese për koment nga CNBC, kompania ka orientuar gazetarët drejt një agjencie të marrëdhënieve me publikun, duke sqaruar se çdo shtetas amerikan i përfshirë në nismë vepron në kapacitet personal dhe jo në emër të Affinity Partners.
Ndërkohë, kryetari i Sazan Real Estate Development LLC, Asher Abehsera, ka mbrojtur projektin, duke theksuar se synimi është promovimi i potencialit turistik të zonës dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
“Qëllimi ynë është i thjeshtë: të promovojmë bukurinë natyrore të Shqipërisë, të krijojmë vende pune dhe të ndërtojmë diçka për të cilën brezat e ardhshëm mund të jenë krenarë. Në fund, e ardhmja e këtij projekti do të përcaktohet nga Shqipëria dhe qytetarët shqiptarë”, u shpreh Abehsera.
