Janë publikuar pamjet nga zona pranë fshatit Cerujë, ku policia dyshon se ka gjetur trupin e pajetë të Eglant Koçit, 34-vjeçarit i cili rezultonte i zhdukur prej më shumë se dy javësh.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale dhe ekspertizat e nevojshme për identifikimin e trupit. Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar.
Eglant Koçi u pa për herë të fundit më 4 qershor pranë sheshit “Wilson” në Tiranë, duke lëvizur me motor, ndërsa një ditë më vonë familjarët e denoncuan të zhdukur në polici.
Që prej asaj kohe, strukturat hetimore kanë zhvilluar kërkime intensive dhe kanë mbledhur dëshmi e prova për të rindërtuar lëvizjet e fundit të Koçit. Hetimet janë përqendruar në disa pista, ndërsa një prej tyre lidhet me aktivitetin e mundshëm të 34-vjeçarit në fushën e kriptomonedhave.
Megjithëse Eglant Koçi rezultonte i punësuar në një mobilieri, burime pranë hetimit kanë bërë me dije se po verifikohen edhe kontakte dhe aktivitete të tjera të tij, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes.
Ndërkohë, policia vijon kërkimet për Armand Shakajn, i cili konsiderohet si personi kryesor i dyshuar në këtë çështje. Sipas të dhënave hetimore, ai dyshohet se ka ndërruar disa numra telefoni në përpjekje për t’iu shmangur lokalizimit nga autoritetet. Verifikimet kanë treguar se numrat telefonikë, të regjistruar në emrin e tij dhe të familjarëve, janë përdorur kryesisht në territorin e Tiranës.
Zbulimi i trupit të pajetë pranë Cerujës mund të përbëjë një zhvillim kyç për hetimet, megjithatë autoritetet po tregohen të rezervuara deri në përfundimin e ekspertizave mjeko-ligjore dhe identifikimit zyrtar të viktimës.


