Skip to content

E papritur! Raportohet se Kushner tërhiqet nga projekti në Shqipëri?

Një raportim i publikuar nga media greke “Greek City Times” ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e projektit të shumëdiskutuar në ishullin e Sazanit.

Sipas këtij raportimi, firma e investimeve e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, po shqyrton mundësinë e tërheqjes nga projekti i planifikuar në Shqipëri.

Media greke pretendon se ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë vendim të mundshëm përmenden protestat e fundit, shqetësimet për ndikimin mjedisor si dhe hetimet e nisura nga institucionet shqiptare.

Në artikull thuhet gjithashtu se Kushner po shqyrton alternativa të tjera investimi në rajon, ndërsa përmendet Greqia si një nga destinacionet e mundshme ku mund të zhvendoset projekti. Sipas raportimit, autoritetet greke thuhet se kanë ofruar kushte të favorshme për investime të këtij niveli në zona turistike të njohura.

Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Jared Kushner, kompania e tij apo institucionet shqiptare që të konfirmojë një tërheqje të mundshme nga projekti në Sazan.

Raportimi ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te zhvillimet e ardhshme dhe informacionet shtesë që pritet të publikohen në ditët në vijim.

Mbetet për t’u parë nëse bëhet fjalë për një ndryshim real të planeve të investimit apo vetëm për një skenar që po shqyrtohet në këtë fazë.

Published inNews

Comments are closed.