Astrologia Denisa Shyle, e ftuar në studion lajmeve në “Ora News”, teksa foli mbi ndikimin e yjeve për muajin qershor dhe gjysmën e dytë të vitit, zbuloi detaje tronditëse për të ardhmen e afërt.
Muaji qershor, tha ajo shërben si një periudhë tranzicioni dhe reflektimi përpara nisjes së retrogradave të rëndësishme të Mërkurit, Neptunit dhe Saturnit. Këto lëvizje planetare pritet të sjellin sfida në komunikim, teknologji, dinamikat familjare, si dhe luhatje të rrezikshme në çmimet e naftës apo problematika që lidhen me ujërat dhe zjarret.
Nga këndvështrimi i fatit individual, shenjat e zodiakut do të përjetojnë ekstreme të kundërta.
Gjatë muajve të parë, Peshqit kanë pasur një fat të favorshëm, ndonëse shpesh janë mbyllur në ciklin e tyre të viktimizimit. Për gjysmën e dytë të vitit, fati i buzëqesh Dashit dhe Luanit, ndërkohë që Binjakët hyjnë në një periudhë të artë falë ndikimit të Uranit, duke pasur mundësi të shkëlqyera në rritjen materiale dhe personale.
Nga ana tjetër, Demi po përballet me vështirësi të mëdha, duke u detyruar të pranojë ndryshime thelbësore përmes një procesi që mund të rezultojë i dhimbshëm.
Në aspektin financiar dhe të karrierës, Gaforrja dhe Peshorja do të gjejnë stabilitet dhe sukses brenda strukturave autoritare dhe atyre familjare. Për sa i përket romancave dhe dashurisë, Shigjetari dhe Akrepi kanë shanset më të mëdha për të kurorëzuar lidhjet me martesa dhe njohje serioze, ndërsa Dashi dhe Demi mund të kalojnë në faza thelbësore për stabilitetin e jetës së tyre. Fatkeqësisht, disa shenja, veçanërisht Demi dhe Gaforrja, rrezikojnë ndarje ose transformime të forta në çift.
Megjithatë, parashikimi më i frikshëm vjen për situatën globale. Ndikimi i Saturnit retrograd tregon se konfliktet dhe luftërat do të vazhdojnë, duke zbehur shpresat për një paqe të plotë në horizont. Bota dhe shoqëria po kalojnë në një cikël të ri që kërkon ndryshime rrënjësore, një lloj “dhimbje lindjeje” që pritet të zgjasë deri në vitin 2040.
Shoqëria do të detyrohet të përballet me krizat për të braktisur materializmin ekstrem dhe për t’u fokusuar te vlerat e vërteta jetësore. Përballë këtij përshpejtimi të kohës dhe sfidave globale, vetëm shenjat me aftësinë më të lartë të përshtatjes, si Binjakët, Akrepi dhe Dashi, do të mund të mbijetojnë dhe të ecin me hapin e kohës.
PARASHIKIMI I PLOTË
Gazetarja: Çfarë thonë yjet për qershorin?
Astrologia: Atëherë, muaji qershor, faktikisht bëmë mirë që e bëmë tani, do të quaj që është pak a shumë një muaj dhuratë para se të fillojmë pjesën e dytë të vitit. Do të kemi retrogradën, në radhë të parë në datën 29 qershor do të fillojë retrograda e Mërkurit. Kjo do të prekë drejtpërdrejt të gjithë ne, mënyrën se si komunikojmë me njëri-tjetrin, do të prekë shumë edhe mjetet e komunikimit, telefonat për këtë arsye, edhe teknologjinë e prek në mënyrë të dukshme. Do të preken shumë marrëdhënie familjare duke qenë se është e vendosur tek shenja e Gaforres. Kjo do të thotë që këto marrëdhënie mund të jenë shumë të sfiduara gjatë kësaj periudhe, preken shumë edhe marrëdhëniet që kemi me tokën mëmë, me atdheun, që po e vëmë re edhe tani në të vërtetë që po ndikohen në këtë pikëpamje. Por përveç kësaj do të kemi dhe retrogradën e Neptunit, të Saturnit, që janë retrograda shumë të rëndësishme sepse na ndikojnë vërtet shumë si në strukturat që kemi në udhëheqje, po ashtu dhe në strukturat që kemi, ose dinamikat që kemi brenda për brenda njëri-tjetrit. Nga ana tjetër mund të kemi edhe probleme gjatë këtij viti, si me ujërat duke qenë se Neptuni përfaqëson dhe këtë, nga ana tjetër mund të kemi probleme edhe me zjarret e shumta sepse Neptuni është e vendosur te shenja e Dashit, shumë herë më tepër seç mund të jemi re më përpara. Në të njëjtën kohë, Neptuni duke qenë se përfaqëson edhe petrolin, mund të kemi edhe probleme si rritjen e çmimeve këtu, vazhdimi i mëtejshëm i rritjes së çmimeve këtu.
Gazetarja: Gjatë muajit qershor kemi mundësi që të gjitha gjërat t’i vëmë pak a shumë në vijë?
Astrologia: Në vijë, po. Duhet të jemi të vetëdijshëm detyrimisht që ta bëjmë këtë. Në radhë të parë duhet të hedhim hapa të sigurtë, mos na ngelet hatri, të mos manipulohemi dhe të mos qëndrojmë në situata të cilat janë toksike. Këtu bëhet fjalë si për marrëdhënie personale, po ashtu bëhet fjalë edhe në lidhje me karrierën ose vendin ku jetojmë. Në qoftë se nuk jemi të lumtur ose nuk ndihemi mirë, në qoftë se ka ardhur koha për të ndryshuar dhe e ndiejmë edhe vetë deri në kockat tona, domethënë që ka ardhur momenti për të ndryshuar. Është një vit në të vërtetë që jemi të detyruar që të bëjmë ndryshime, të hedhim hapa drejt një rendi të ri. Dhe si rrjedhojë, ky është një ndër muajt e fundit që mund ta bëjmë këtë, sepse pas kësaj duhet të vëmë re që ato çfarë kemi vepruar do të fillojmë që të shikojmë pasojat ose rezultatet, në varësi të zgjedhjeve që kemi bërë.
Gazetarja: Kështu që është momenti më i mirë për të bërë le të themi një farë reflektimi nëse mund ta quajmë kështu, të brendshëm, për t’ia nisur pastaj edhe një herë për gjysmën e dytë të vitit.
Astrologia: Kemi dhe një ndikim të tillë që është shumë i rëndësishëm, në këto momente, deri në datën 19 qershor, do të kemi një vendosje mbi Hënën e Shqipërisë, duke qenë se edhe harta e Shqipërisë… mbi Hënën e Shqipërisë që përfaqëson popullin, tokën, njerëzit, ndjesitë, shoqërinë, është e vendosur një vendosje që quhet Kiron që është plaga e shërueshme. Prandaj dhe mund të kemi edhe probleme që kanë të bëjnë me popullin. Kjo është edhe arsyeja që pakënaqësitë në këto momente mund të shtohen pak më tepër.
Gazetarja: Duken më shumë. Pra kanë lidhje yjet edhe me këtë?
Astrologia: Me siguri që kanë! Është universi dhe normalisht që jemi pjesë e tij dhe ndikohemi automatikisht nga të gjitha lëvizjet që ndodhin në qiell.
Gazetarja: Meqë jemi në këtë leximin në makro, po themi, pa u ndalur tek shenjat në vetvete pak më vonë. Kujtoj kur bëheshin parashikimet sa i takonte pikërisht vitit 2026, flitej për shenja të ndryshme të cilat mund të ishin po themi më të favorizuara për këtë vit. Tani unë dua të bëjmë një konkretizim, nga janari dhe deri më tani në qershor, në gjashtë muajt e parë të vitit, cila ka rezultuar vërtet shenja me fat, nëse mund ta quajmë? Apo punët kanë shkuar më mirë dhe ndoshta për kë mund të kenë shkuar disi pak më keq ose me shumë vështirësi?
Astrologia: Të jemi realistë, unë personalisht e perceptoj shumë ndryshe. Nuk e perceptoj që jemi me fat në mënyrën klasike të gjërave. E perceptoj aq sa kemi mundësi që ta përdorim mundësinë që na hyn në jetën tonë. Dhe në këtë pikëpamje, shenja e cila ka pasur më tepër fat, është shenja e Peshqve. Por sesa ka pasur aftësinë që ta përdori, duke hequr dorë nga viktimizimi që bëjnë në disa raste vetë, ose sidomos tek situata ku janë më komodë…
Gazetarja: Viktimizohen Peshqit?
Astrologia: Janë nga shenjat që viktimizohet më shumë është Peshqit. E ka në natyrën e saj, është në kodin e saj le të themi, prandaj edhe… Megjithatë ka qenë fat i favorizuar ndoshta për mundësitë që mund t’i jenë dhënë. Ka pasur shumë mundësi ndryshimi. Për të gjetur vetveten shenja e Peshqve, pavarësisht se mund të ketë ndodhur në situata të cilat mund të kenë qenë pak a shumë të pakënaqura, faktikisht e ka ndihmuar që të njohin veten e tyre më mirë dhe si rrjedhojë kanë dhe mundësinë që të zgjedhin atë çfarë duan që të përjetojnë.
Gazetarja: Do të jetë në të njëjtin pozitë edhe për gjysmën e dytë të vitit, apo dominon ndonjë shenjë tjetër?
Astrologia: Do të jetë dominante kjo si ndikim deri në datën 18 gusht. Pas datës 18 gusht stafetën e kalon shenjës së Dashit. Faktikisht duke filluar që nga prilli i këtij viti, shenja e Dashit ka pasur fat, por duke qenë se në këto momente kemi vendosjen e Kironit që sapo përmenda tek gradët e fundit të shenjës së tyre, mund të kenë pasur probleme me shëndetin. Madje edhe në qoftë se kanë hedhur hapa nuk janë shumë të sigurt nëse janë hapat e duhur, por arrijnë që ta perceptojnë shumë herë më mirë se çfarë kanë bërë dhe atë fatin që po përmenda pak më përpara do ta perceptojnë shumë herë më mirë pas datës 19 qershor. Ndërkohë që pas datës 18 gusht është pak a shumë automatike pra, sistemi na ndihmon, ne ndihmojmë veten tonë, si rrjedhojë bëjmë dhe zgjedhjet më të duhura, jemi më tepër të sigurt tek vetja jonë e të tjera e të tjera.
Gazetarja: Cilat janë nga ana tjetër pra, nëse marrim anën tjetër të medaljes po e quaj, shenjat që mund të hasin ndoshta më shumë vështirësi përgjatë kësaj periudhe deri në fund të vitit?
Astrologia: Shenjat të cilat do ta kenë të vështirë, jo vetëm deri në fund të vitit por edhe në vazhdimësi, është shenja e Demit. Kemi shumë ndryshime në këto momente tek shenja e tyre dhe shenja e Demit nuk i ka qejf fare ndryshimet, do që të qëndrojë në status-quo.
Gazetarja: Çfarë po ndodh me Demin aktualisht?
Astrologia: Atëherë, në këto momente tek shenjat fikse kemi Plutonin, që është planeti që i shemb të gjitha gjërat dhe na detyron që të ndryshojmë. Në qoftë se jemi në një moment ose në një situatë e cila nuk është e përshtatshme për ne, qoftë kjo lidhje, qoftë karrierë, qoftë shtëpi, pak rëndësi ka, në qoftë se jemi në situata të tilla, na detyron që të ndryshojmë. Por siç e thashë shenja e Demit nuk e ka qejf ndryshimin, prandaj edhe mund t’i rezistojë këtij ndryshimi. Pak më tepër që duke filluar nga data 19, do të kemi edhe kalimin e Kironit te shenja e tyre që është plaga e shërueshme. Prandaj janë të detyruar që të marrin mësimet e domosdoshme. Këto mësime në përgjithësi vijnë nëpërmjet dhimbjes, prandaj edhe normalisht që është e dhimbshme.
Gazetarja: Pra mund të themi që po e quajmë ose po e klasifikojmë në vendin e fundit po themi. Tani unë për të siguruar për veten time, po ndoshta dhe për ata që po na ndjekin, në vendin e parafundit kush është?
Astrologia: Atëherë, shenjat fikse në këto momente duan s’duan janë të tilla, përveç shenjës së Ujorit. Shenja tjetër faktikisht që e thashë që ka fat por duhet të jetë shumë e vetëdijshme në mënyrë që ta përdori këtë fat, është shenja e Luanit. Pas datës 30 qershor do të kemi kalimin e Jupiterit që është planeti i fatit tek shenja e tyre, por planeti ka këtë ndikim që zmadhon gjithçka. Në disa raste zmadhon dhe anët negative. Prandaj edhe në qoftë se nuk jemi të vetëdijshëm dhe bëjmë zgjedhjet e gabuara, normalisht që do ta kemi shumë të vështirë që ta kthejmë timonin nga ana tjetër, prandaj dhe shenja e Luanit e ka vetë në dorë nëse mundet apo s’mundet ta përdorë këtë. Këshilla ime do të ishte që thjesht të shikojnë në afatgjatë. Në qoftë se jemi, shikojmë në afatgjatë, e kemi shumë të thjeshtë që ta bëjmë këtë si gjë. Madje për shenjën e Luanit kemi dhe këtë si ndikim, Uranin i cili është i vendosur tek shenja e Binjakëve në këto momente, do të thotë që nga shoqëria mund të marrim këshilla shumë të mira në këto momente. Mund të bëjmë shumë largpamës edhe në realizimin e ëndrrave dhe qëllimeve tona. Mjafton që të mos jemi të vegjël pra në atë çfarë ëndërrojmë. Kam dëgjuar një shprehje dikur që duhet të ëndërrojmë ëndrra sa më të mëdha në mënyrë që edhe kur të thyhen, copëzat të jenë të mëdha.
Gazetarja: Të jenë të mëdha, shumë e bukur. Meqenëse përmendëm edhe Binjakët dhe praktikisht jemi në muajin e Binjakëve. Si ka qenë për Binjakët, si është dhe si do të jetë? Pra po e bëjmë të gjithë ciklin nëse mund ta quajmë kështu.
Astrologia: Shenja e Binjakëve deri në këto momente ka pasur shumë vështirësi, sepse i duhet që të mësonte shumë gjëra si në lidhje me veten e tij, duhet të kuptonte se ku duhet të ndryshonte, ku duhet të qëndronte. Si rrjedhojë, duke filluar nga data 26 prill e këtej, tashmë kemi filluar që t’i aplikojmë këto mësime që morëm. Kjo pse? Sepse patëm kalimin e Uranit tek shenja juaj. Urani na bën pak ndryshe, na shtyn që të jemi më autentik ndaj vetes tonë. Prandaj edhe të gjitha këto aplikime që po bëjmë në këto momente, çdo gjë që po bëjmë në jetë është shumë më e përshtatshme për ju. Urani në të vërtetë nuk është se është planet shumë, le të themi i mençur, është pak i çmendur si planet, por në këtë rast duke qenë se ndihet mirë te shenja e Binjakëve, juve ju ndikon për mirë. Keni fat shumë herë më të madh.
Gazetarja: Çfarë thotë gjysma e dytë e vitit për Binjakët?
Astrologia: Atëherë, gjysma e dytë e vitit për Binjakët sidomos pas datës 18 gusht është shumë herë më pozitive, duke qenë se do të kemi një… Në këto momente të gjitha këto mësime që kemi marrë kemi filluar t’i aplikojmë, por ndoshta edhe nuk jemi shumë të sigurt sidomos me personat e rinj që hyjnë në këto momente në jetën tonë. Mund të mos jemi shumë të aftë për t’i perceptuar mirë se kush janë, ku t’i vendosim në disa raste në jetën tonë. Ndërkohë që pas datës 30 qershor, komunikimi do të përforcohet në mënyrë të dukshme, mund të marrim një ndihmë shumë herë më të madhe nga shoqëria jonë e ngushtë, për t’i vendosur aty ku duhet, pak a shumë na bëhen udhërrëfyes. Ndërkohë që pas datës 18 gusht kjo do të bëhet pak a shumë automatike, tashmë mësimet i kemi marrë dhe e dimë se si t’i aplikojmë. Është një proces normal, jo çdo gjë ndodh menjëherë. Për shenjën e Binjakëve le të themi që fillon në datën 26 prill dhe do të vazhdojë deri për shtatë vitet në vazhdim. Qenka një periudhë e gjatë edhe pozitive.
Gazetarja: Ndalemi njëherë tek financat, se aty e kemi mendjen të gjithë patjetër. Si do të jenë financat për këtë periudhë?
Astrologia: Atëherë, në këto momente shenjat të cilat kanë më tepër prioritet për të krijuar një stabilitet ekonomik, janë shenjat kardinale. Kjo domethënë shenja e Dashit, është Gaforrja, kemi shenjën e Peshores dhe atë të Bricjapit. Ndër këto, shenja e Dashit në këto momente po krijon stabilitet brenda për brenda familjes dhe duke qenë se do të ndihet më e sigurtë, ka më tepër mundësi që edhe financat t’i ketë më mirë sepse punon me më tepër qetësi. Shenja tjetër që është shenja e Gaforres, ka fat në këto momente si në karrierë, po ashtu edhe për të gjetur vetveten aty, si rrjedhojë bëhet dhe një person që ka më tepër autoritet. E njëjta gjë është edhe tek shenja e Bricjapit. Duke qenë se marrëdhëniet familjare në këto momente i ka të sigurta, ka më tepër prioritet për të qenë i suksesshëm në karrierë dhe si rrjedhojë financat vijnë pak a shumë vetvetiu. Shenja e Peshores shkëlqen në karrierë, financat vijnë gradualisht, ndryshe nga tre shenjat pararendëse, por edhe kjo është nga shenjat që pak a shumë bëhet… tregohet si shembull, shkëlqen në këto momente. Ndërkohë që automatikisht duke qenë se të gjitha aplikimet që bën në këto momente janë vërtet shumë të spikatura, shenja e Binjakëve që ka fat për të ardhurat materiale.
Gazetarja: Bukur. Po sa i takon shëndetit?
Astrologia: Po, unë jam gjithmonë shumë e kujdesshme kur vjen fjala për shëndetin. Në këto momente të gjitha shenjat janë shumë të ndikuara. Shenja e cila e ka pak më të vështirë, është shenja e Dashit. Problemet që mund të kemi nga ana shëndetësore, problemet që mund të kemi në këto momente në lidhje me virozat që janë në këto momente në ambient, sidomos ato që kanë temperatura të larta, shenja e Dashit i ndien më tepër. Në lidhje me shëndetin preket shumë edhe shenja e Akrepit. Të dyja këto janë të prekura deri në datën 19 qershor. Pas datës 19 qershor të njëjtat probleme do fillojnë që t’i prekin shenjën e Demit dhe shenjën e Shigjetarit. Prandaj edhe shenja e Shigjetarit mund të bëhet një nga shenjat më të ndikuara në këtë pikëpamje, gjatë shtatë viteve në vazhdim pothuajse. Është një periudhë e gjatë prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm në kuptimin që, çdo veprim që bëjmë ta kemi vërtet 100% të sigurt përpara se ta bëjmë sepse kjo mund të thotë edhe një sistem imunitar pak më i ulët, në qoftë se e shpenzojmë energjinë tonë aty ku nuk duhet normalisht që do ta kemi punën pisk, por në qoftë se jemi të kujdesshëm dhe bëjmë disa rutina të shëndetshme, ushqehemi ashtu siç duhet, konsumojmë gjërat që duhet, e kemi shumë herë më të thjeshtë. Për shenjën e Demit, është kjo periudha ku do marrë mësimet pak të dhimbshme siç e thashë, por bëhen edhe pak a shumë profesorë të trupit të tyre. Ndërkohë që ata profesorët e trupit në këto momente janë shenja e Dashit, prandaj do ta kenë shumë herë më të thjeshtë që edhe ambientin që i rrethon pak a shumë t’i japin mësime ose t’i edukojnë.
Gazetarja: Kalojmë pak në atmosferë rozë po e quaj tani. Tek çështja e marrëdhënieve të dashurisë, te martesat, kush do martohet, kush do fejohet. Pastaj do kalojmë te ana tjetër që kush nuk i ka edhe aq mirë punët. Po ndalemi njëherë te çfarë thonë yjet për të dashuruarit për shembull. Më të favorizuarit, ndoshta për të krijuar dhe familje, për t’u bërë prindër e të tjerë.
Astrologia: Atëherë… Në këto momente për t’u… për martesë ose për të kaluar në një stad tjetër të lidhjes, është shenja e Shigjetarit. Shigjetari është në momentin e duhur. Shenja e Akrepit është në periudhën ku mund të njihet me persona me të cilët mund të martohet. Më tepër do ta ketë këtë si mundësi për t’u martuar ose për të krijuar familje pas datës 18 gusht, por deri në atë datë normalisht që duhet të njihemi mirë. E njëjta gjë është e vlefshme edhe për shenjën e Demit. Madje për shenjën e Demit kemi një mundësi për një romancë serioze. Romancë shumë serioze në kuptimin që personat që njihen nuk është se janë persona kalimtarë, bëhen vërtet personat e tyre të jetës. Edhe për shenjën e Dashit. Në këto momente shenja e Dashit ka një seriozitet shumë të madh në jetën e tij. I merr të gjitha gjërat seriozisht dhe kjo i bën mirë, në kuptimin që i jep rëndësinë e duhur çdo njeriu që hyn në jetën e tij. Prandaj dhe kemi më tepër mundësinë sidomos pas datës 30 qershor që të prezantohemi me lidhje ose me persona që mund të krijojnë lidhje shumë herë më të shëndetshme. Kjo është më tepër prioriteti për femrat, më duhet ta nënvizoj, që janë tek shenja e Dashit, po ashtu edhe tek shenja e Luanit, kemi të njëjtin prioritet që femrat kanë më tepër mundësi që të kenë lidhje të tilla.
Gazetarja: Po për t’u bërë prindër pyeta?
Astrologia: Për t’u bërë prindër, shenja e Dashit vazhdon që të jetë. Në këto momente kemi shenjën e Peshqve dhe shenjën e Bricjapit. Këto janë tre shenja që kanë më tepër mundësi në këtë pikëpamje.
Gazetarja: Po thashë do ta marrim pak edhe atë anën tjetër tani, ndoshta është pak e vështirë për ta dëgjuar, po gjithsesi. Kush janë shenjat që po përjetojnë ndoshta aktualisht ose që do të përjetojnë vështirësi në çift, në marrëdhënie, në martesë? Çfarë duhet të kenë parasysh?
Astrologia: Shenja që ka pak a shumë probleme, ose që mund të ketë probleme në këto momente, një në radhë të parë do të jetë shenja e Demit. Kjo jo sepse nuk ka mundësi që të krijojë lidhje sepse e përmenda pak më përpara, por duke qenë se mund të ketë probleme pak a shumë me veten e tij, nuk di se ku qëndron, dhe kjo mund të thotë që lidhjet aktuale mund të jenë të sfiduara, për të krijuar diçka të re, në një moment të dytë sikurse e thamë. Ndërkohë që shenja tjetër e cila është pak a shumë duke perceptuar veten e saj shumë mirë dhe po zmadhohen të gjitha gjërat në jetën e saj, është shenja e Gaforres. Kjo nuk domethënë se nuk ka fat, ka fat edhe për të krijuar diçka të re, por lidhjet aktuale dhe ato janë të sfiduara. Pra këto janë shenja të cilat lidhjet aktuale i kanë të sfiduara. Prandaj dhe mund të kemi dhe mundësinë që të mbarojmë këto si lidhje. Jam e qetë që nuk u përmend Binjaku. Binjakët nuk e kanë. Binjakët maksimumi mund të kenë pak a shumë grindje, për të krijuar dinamika të reja por nuk mund të them që kanë probleme.
Gazetarja: Për të ndryshuar atë monotoninë e përditshme. Thjesht për adrenalinë. Kjo është problematika e përhershme e Binjakëve apo jo, është disi problemi i tyre. Duan vazhdimisht domethënë që të jenë të stimuluar. Kështu që në këtë këndvështrim po themi, edhe në raportin me dashurinë po mirë qenkemi jo. Në një të përgjithshme nëse mund ta themi kështu, situata duket pozitive. Individi po, shoqëria është komplet temë tjetër pastaj. Po jo, diçka do na thuash se tani, meqë e nxitëm, le ta dëgjojmë deri në fund.
Astrologia: Atëherë, siç e thashë deri në datën 19 qershor është një periudhë e vështirë për Shqipërinë, po e them disa herë. Duke qenë se edhe gjatë muajit gusht do të kemi dy eklipse të cilat janë shumë të rëndësishme, na prekin shumë, dhe mbi të gjitha do të kemi dhe retrogradën e Saturnit që është drejtuesi jonë. Kjo domethënë që Shqipëria gjatë gjithë kësaj vere dhe në vazhdim të vitit do të jetë vërtet shumë e ndikuar, krijon dinamika të reja. Ne tashmë do të japim provimet, se çfarë kemi mësuar, çfarë s’kemi mësuar, prandaj dhe shoqëria është shumë e ndikuar. Në të vërtetë, në këto momente na duhet të vendosim nëse do të vazhdojmë me status-quo-në apo do të ndryshojmë. Mendoj që ka ardhur momenti për ndryshim, sepse kemi kaluar dhimbje të shumta dhe këtë po e ndiejmë edhe më tepër në këto momente, por se sa do të jemi të aftë për t’i realizuar këto ndryshime do ta tregojë koha. Në botë, ajo çfarë po vihet re, lufta, pak a shumë që kemi një zjarr shumë të lartë në këto momente, do të vazhdojë që të jetë aktive, për fat të keq, kemi një ndikim të tillë.
Gazetarja: Parashikohet paqe në horizont?
Astrologia: Paqe të plotë nuk ka për të pasur. Të jemi realistë domethënë, në mënyrën se si po zhvillohet shoqëria në këto momente është e pamundur. Duket e pamundur, por që do të kemi krijimin e disa dinamikave të reja, grupimeve të reja të cilat mund ta zbusin gjendjen aktuale dhe pak a shumë të na vetëdijësojnë edhe ne si masa, po, është e mundur, ose më saktë drejt asaj po shkojmë. Do fillojmë që ta ndiejmë shumë herë më tepër pas datës 18 gusht këtë. Do të bëhet pak a shumë automatike. Personat që shkëlqejnë pak më tepër, personat të cilët janë më të vetëdijshëm, që e kanë marrë veten e tyre në dorë, situatat e tyre në dorë, dhe dinë dhe se si t’i përshtatin edhe gjendjen aktuale për ta përcjellë ose për ta kaluar në një fazë tjetër, por duhet punë domethënë nga të gjithë.
Gazetarja: Kur është ky momenti i qetësisë pak më i dukshëm ndoshta?
Astrologia: Në mënyrë që ne të marrim të gjitha mësimet që na nevojiten tani dhe të kalojmë në fazën e ardhshme, na duhet të paktën 2040-ta. Prandaj thashë është pak si e largët. Prandaj e mendove. Megjithatë unë thashë ne duam t’i dëgjojmë të gjitha qofshin ato të mirat ose të këqijat. E vërteta është kështu, shoqëria në këto momente është duke lindur në një version të ri të saj. Prandaj dhe të gjitha lindjet kanë dhimbjet e tyre. Kjo është një nga ato dhimbjet e lindjes që po përjetojmë në këto momente, por normalisht po lindim si një shoqëri shumë herë më e përshtatshme, ose më e shëndetshme, brenda për brenda vetes. Prandaj detyrimisht të gjitha këto procese që po kalojmë në këto momente, na duhen që ne të marrim mësimet që na duhen, të mund të mbështetemi më tepër tek njëri-tjetri, të kuptojmë se çfarë ka vlerë në të vërtetë, sepse në këto momente shoqëria është kthyer në një shoqëri, duhet ta them materialiste. Vlera e vërtetë që ne kemi më tepër në këto momente është paraja, prandaj edhe në mënyrë që të kalojmë te diçka që mund të mbështesë edhe jetën, sepse në këto momente jeta është e vështirë të shkëputemi nga ajo, na duhet dhimbja që ta marrim këtë mësim.
Gazetarja: E gjitha në tërësi, mënyra e jetesës dhe gjithçka tjetër, ne shpesh e kemi diskutuar në fakt që gjërat duket sikur po ndryshojnë në një mënyrë shumë të shpejtë, domethënë a është e vërtetë kjo, a ka një lidhje ndoshta deri diku edhe me të gjithën këtë për të cilën ne po diskutojmë tani?
Astrologia: Ka lidhje, faktikisht ka dhe shumë teori që koha është duke u përshpejtuar, më duket shpeshherë më duket shumë e drejtë. Po, koha është përshpejtuar dhe si rrjedhojë edhe ne duhet ta përshpejtojmë për ta kapur ritmin e kësaj kohe dhe detyrimisht edhe ndryshimi është më i shpejtë.
Gazetarja: Cilat nga shenjat e ka më të thjeshtë po themi të gjithë këtë ndryshimin apo përshpejtimin e ndryshimeve qoftë në jetën personale, qoftë edhe në atmosferën familjare?
Astrologia: Atëherë, kemi tre shenja. Është shenja e Binjakëve, ndryshon shumë shpejt duke qenë se, siç e thashë kërkon vazhdimisht stimulim dhe informacioni është shumë i rëndësishëm për ta, prandaj dhe vazhdimisht janë në kërkim. E ka në kodin e tyre, pra duan s’duan e duan ndryshimin, pak më tepër që janë një shenjë e ndryshueshme. Ndërkohë që shenja tjetër e cila, ngaqë përballet me shumë sfida në jetë dhe është e detyruar që të përshtatet shpejt në qoftë se do të mbijetojë, është shenja e Akrepit. Dhe shenja tjetër e cila është shumë përparimtare, në kuptimin që do vazhdimisht të shikojë në horizont, do të eci shpejt, është shenja e Dashit. Pra nga të gjitha grupimet, se shenja e Akrepit është shenjë fikse, si rrjedhojë edhe ajo e ka këtë, dhe nga shenjat kardinale është shenja e Dashit. Mund të themi që shenja e Gaforres mund të ishte një nga këto, sepse i pëlqen që të përshtatet me ambientin e të tjerë, por shenja e Gaforres do të hedhi gjithmonë rrënjë, prandaj dhe ka raste që ngecet mbrapa. Kështu që këto tre shenja që përmenda vazhdimisht duan ndryshim, ose përshtaten shumë shpejt me ndryshimin.
