Errësira e regjimit autokratik që ka pllakosur prej vitesh Shqipërinë e ka bërë të pamundur për shumëkënd të imagjinonte se një festë rinore demokracie mund të ngjiste kaq shpejt në këtë vend. Të gjithë ata që i kishin humbur shpresat, që qenë të bindur se Edi Rama kontrollonte gjithçka, se opozita ishte invalidizuar aq shumë sa nuk mund të prodhonte dot më ndryshim, po shfaqin prirjen për ta arsyetuar atë që po ndodh me një dyzinë teorish konspirative që po fitojnë terren ditë pas dite.
Vetë kryeministri, në një një fjalim haluçinant përballë deputetëve të partisë së tij, i hodhi benzinë kësaj flake duke aluduar se komploti ishte i frymëzuar nga Athina. Ai foli për interesimin e çuditshëm të gazetave greke duke i lënë hapsirë borizanëve të vet për ta shumëfishuar këtë teori, duke shfaqur në ekrane imazhe me IA të autobuzëve të ardhur nga Greqia.
Rama u mundua ti’a faturojë frymën e mërisë ndaj tij edhe qarqeve islamike, atyre që ai i cilësoi si “muslimanë pa din e pa iman”, që kanë në axhendë eksportimin e antisemitizmit nga territoret e lindjes së mesme këtu tek ne.
Në një argumentim që nuk kishte logjikë që e mbante në këmbë, ai hodhi aludime edhe kundër armiqve të dhëndërrit të Trump, Jared Kushner, të cilët për të larë hesapet me presidentin amerikanm po kërkojnë “të gjejnë gjilpërën në kashtë” në Zvërnec. Të gjitha këto pandehma, të cilave i është shtuar edhe overdoza e ndonjë sharlatani mediatik që ka folur për agjentë rusë në protestë, kanë mëtuar të përligjin atë që po ndodh me ekzistencën e një dore të huaj që qëndron nga pas.
Fatkeqësisht ky viris konspiracionist ka prekur edhe opozitën më të madhe në vend, e cila sa nga pamundësia për të prodhuar diçka të re, po aq sa edhe nga nënshtrimi ndaj oligarkisë dhe kompleksi që ka prodhuar linjëzimi me lëvizjen MAGA, nuk e pranon dot se ka momente në histori kur edhe një pikë e vetme mjafton për të derdhur gjithë gotën. Qarqe përreth saj po përhapin idenë absurde se është Rama ai që qëndron pas manifestimeve, pasi ai do të heqë qafe bijën dhe dhëndrin e Trump, për ta përvetësuar këtë pasuri të natyrës përmes oligarkëve që kontrollon.
Ata aludojnë se kjo mund të jetë edhe një loje e pushtetit, për të dekurajuar investitorë të mëdhenj, në mënyrë që kjo fabul të përdoret kundër SPAK-ut dhe për të sendërzuar atë për të cilën kryeministri ka vënë alarmin edhe më parë: se një drejtësi represive po tremb kapitalin e madh. Duke sakrifikuar Zvërnecin, Rama i jep një “coplo di grazia” SPAK-ut thonë ata.
Nga ky delir që shpesh flirton me paranojën, nuk shpëtojnë as të tjerë, të pavarur dhe shëndetshëm të distancuar nga dy partitë e mëdha. Edhe ata, shpresëhumbur se mrekullia mund të ndodhë në kushtet e një regjimi të tillë, reken ta përligjin atë që po ndodh, me një infuencë të qarqeve sorosiste, të cilët kanë vënë në punë elementë të shoqërisë civile që kontrollojnë, për të mos lejuar argatin e dikurshëm Edvin që tani të hapë këmbët në shtratin e armikut Trump.
Po të njëjtët flasin për influencë Gjermane, apo evropiane që nuk duan ta shohin një zonë influence të BE, të kthehet në resort personal të një armiku ideologjik si Trump, duke shkelur çdo ligj, konkurencë dhe parim të tregut të lirë.
Por, pavarësisht sesa të papërfillshme apo me ndonjë ndikim relativ të jenë fenomene të tilla në atë që po ndodh në bulevardin qëndror, një gjë duhet pranuar si fakt. Ata të rinj që kërkojnë dorëheqjen dhe ndëshkimin e Edi Ramës kanë arsye të mjaftueshme për të qenë aty ku ndodhen.
Ata e dinë se sado të ropaten gjatë jetës së tyre nuk do të munden kurrë të shijojnë një ditë plazh, në ato territoire të rrethuara me gardhe që planifikohen në Manastir apo Zvërnec, apo që i kanë parë vetëm prej fotove të publikuara nga Green Coast në instagram.
Ata i përkasin atij ai brezi, që i kanë vëzhguar prindrit e tyre me dinjitet të nëpërkëmbur, pasi nuk e kanë marrë dot kurrë një tokë të trashëguar nga paraardhësit dhe janë detyryar ose ta humbasin ose kokëulur ti’a shesin lirë një banditi që do fitonte gjyqet në emër të tyre.
Ata i takojnë asaj gjenerate që i sheh shokët e vet të enden gjatë ditës të papunë, sepse një lluks i tillë nuk kapet lehtë, nëse nuk pranon të rekrutohesh nga patronazhisti i lagjes, apo të ndjekësh në jetë shembullin e Zegjinesë apo të Sarës.
Ata janë në atë moshë që, që kur kanë shkuar për herë të parë në kutitë e votimit, nuk kanë pasur mundësinë të zgjedhin asgjë trjetër përveç Ramës apo Berishës.
Por, për të gjitha këto dhe deri këtu, sado i keq të jetë sistemi ku i kanë katapultuar, ai gjithësesi u ka lënë ndonjë valvul shkarkimi. Kur abuzimi i qeverisë bëhej i madh, diku diku e ngrinte zërin opozita. Kur plaste ndonjë skandal tej normales, që disa media e fshihnin apo justifikonin, gjendeshin pak të tjera që guxonin ta denonconin. Kur diçka nuk shkonte fare, dëgjohej ndonjë zë perendimor, evropian apo sidomos amerikan që paralajmëronte se nuk jeni në rrugën e duhur.
Ndërsa në rastin e Zvërnecit të gjitha këto kundër pushtete ranë një nga një. Njërëzit e dëgjuan me vëshët e tyre, nga i nominuari si ambasador në Shqipëri, që SHBA nuk do ngrinte zërin kundër një interesi të familjes së predidentit të saj. Ata e panë që këtë herë, bashkë me pushtetin që po i grabiste, u rreshtua dhe PD-ja, që përpos mbrojtjes së oligarkisë, zbuloi edhe avokatinë ndaj ‘investitorëve seriozë”. Ata e panë se të gjitha mediat, po gati të gjitha pa përjashtim, zbatuan kodin e omertasë, duke u sjellë sikur teli me gjemba në Zvërnec të mos ishte vënë kurrë.
Në këto rrethana, pa asnjë shpresë, pa asnjë rugëdallje për të shfryrë, u mbars ajo masë e madhe të indinjuarish që shpërtheu. Gardhi i Pish Poros në Nartë, u shndërrua në tavanin e xhamtë të pamundësisë që i mban peng prej kohësh. Grabitja e atyshme u bë simboli i zhvatjeve të njëpasnjëshme, prej të cilave si mbronte askush. Të vjedhur nga kryeministri i tyre, të zhgënjyer nga opozita dhe ndërkombëtarët, të neveritur nga mediat e shituara, atyre su mbeti zgjidhje tjetër veçse ti drejtoheshin rrugës. Pikërisht te ky frustrim që buron nga pafuqia, te kjo ndjenjë revolte që rrjedh prej nëpërkëmbjes, më tepër sesa tek faktorë të jashtëm, duhet kërkuar mrekullia e shpirtit qytetar që po shpaloset sot.
Natyrisht si dikush që ka qenë skeptik se në kushtet e një autokracie të vrazhdë elektorale, në atë pak liri të mbetur mund të gjendej tharmi i një lëvizjeje të tillë, personalisht jam i friksuar se regjimi do të gjejë forma dhe mjete për ta shuar atë.
Por, pavarësisht kësaj, si unë dhe të tjerët, sot kemi marrë konfirmimin se shpresa nuk ka vdekur. Se ndoshta sot, apo ndoshta nesër, çudia mund të ndodhë. Magjia e saj gëlon mes atyre njerëzve që sot janë në rrugë, ndaj s’duhet kërkuar diku larg duke u përhumbur në teori komploti.
LAPSI.AL
