Një ngjarje e rëndë dhe ende e mbuluar nga misteri ka tronditur jugun e Italisë, pasi katër persona u gjetën të pajetë dhe të djegur brenda një automjeti në një pikë karburanti, në bregdetin e Jonit, në provincën e Cosenzës.
Sipas informacioneve paraprake, viktimat dyshohet se janë emigrantë me origjinë pakistaneze. Hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat, ndërsa hipoteza kryesore në këtë fazë mbetet ajo e një vrasjeje të mundshme.
Alarmi u dha rreth orës 13:00, kur shërbimet e emergjencës morën njoftime për një automjet të përfshirë nga flakët në një stacion karburanti. Pas mbërritjes në vendngjarje, zjarrfikësit arritën të shuajnë zjarrin, por gjatë ndërhyrjes zbuluan katër trupat brenda makinës.
Në operacionet hetimore janë përfshirë policia rrugore, hetuesit e skuadrës speciale të Kozencës dhe Karabinierët, të cilët po punojnë për identifikimin e viktimave dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Sipas burimeve hetimore, gjendja e rëndë e trupave, të dëmtuar nga flakët, nuk ka lejuar ende përcaktimin nëse viktimat kanë pësuar plagë nga armë zjarri apo dëmtime të tjera para shpërthimit të zjarrit.
Autoritetet theksojnë se kushtet në të cilat u gjet automjeti duket se përjashtojnë mundësinë e një aksidenti të zakonshëm rrugor. Për këtë arsye, kamerat e sigurisë së pikës së karburantit dhe të zonave përreth pritet të luajnë një rol kyç në hetime..
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet italiane po përpiqen të zbulojnë identitetin e viktimave dhe të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një akt kriminal të mirëorganizuar./Top Channel
