Deklaratat e dhëna këtë të enjte në GJKKO nga Mustafa Martinaj kanë rikthyer në vëmendje një nga ngjarjet më të bujshme kriminale në Tiranë, atë të 4 tetorit 2018 në ish-Bllok, ku u regjistrua një përplasje e armatosur mes dy grupeve, atij të Ervis Martinajt dhe atij të Ervin Matës ose i njohur ndryshe si “Boli”.
Sipas Mustafa Martinajt, djali i tij, Ervis Martinaj, i kishte dhuruar një banesë mikut të tij Eljo Hato, si shenjë mirënjohjeje, pasi ky i fundit dyshohet se i kishte shpëtuar jetën gjatë asaj nate të përgjakshme.
“Një pasuri që sot është e sekuestruar në emër të Bisere Hatos ja ka fal im bir Eljo Hatos me pëlqimin tim. Falja e banesës është bërë vetëm se Eljo Hato djali i Biseres i ka shpëtuar jetën Visit”, u shpreh Mustafa Martinaj.
Kujtojmë se mbrëmja e 4 tetorit 2018 do të mbetet një nga ngjarjet më të forta kriminale të ndodhura në Tiranë. Brenda vetëm pak minutash, lokali “Monopol” në ish-Bllok u kthye në skenë përplasjeje me armë mes grupit të Ervis Martinajt dhe atij të Ervin Matës. Nga të shtënat mbeti i vrarë Fabjol Gaxha, ndërsa u plagosën rëndë Ervis Martinaj dhe Eljo Hato.
Burime të ndryshme mediatike kanë ngritur pretendimin se ndërhyrja e Hatos i dha kohë Ervis Martinajt të largohej i plagosur nga lokali, çka sipas tyre shmangu një ekzekutim të mundshëm të “mbretit të lojërave të fatit”. Në videot e publikuara, Martinaj shihej duke dalë i gjakosur nga ambientet e lokalit, ndërsa Eljo Hato mbeti pas, i plagosur rëndë dhe i paaftë për të ecur.
Ngjarja ndodhi brenda rreth dy minutash e gjysmë. Fillimisht konflikti nisi me grushte mes dy grupeve, por më pas armët morën kontrollin e situatës. Në mes të kaosit, Eljo Hato dyshohet se u vendos përballë sulmuesve, duke krijuar mundësinë që Martinaj të nxirrej jashtë lokalit i gjallë.
Kush është Eljon Hato, miku i Ervis Martinaj
Eljon Hato është përfshirë në skedarët e Policisë së Shtetit për herë të parë në vitin 2014, kur pas një konflikti për motive banale në një lokal në Shkodër, ka vrarë me armë zjarri një bashkëmoshatar dhe ka plagosur një tjetër.
I njohur dhe me emrin Esmeraldo, në atë kohë 24 vjeç, në orët e para të mëngjesit të datës 12 Maj 2014, ai ka qenë në një lokal në fshatin Zus bashkë me persona të tjerë. Në të njëjtën tavolinë me të në lokal ndodheshin shtetasit Indrit Hylli dhe Jetmir Molla.
Nën efektin e alkoolit, kur ora shënonte 03:00 e mëngjesit, mes të rinjve që qëndronin në lokal ka filluar një debat i cili ka nisur me shkëmbime fyerjesh banale dhe më pas ka degarduar deri në përdorimin e armës. Eljon Hato ka shtënë me pistoletë në drejtim të Indrit Hyllit dhe më pas drejt shokut tjetër Jetmir Molla.
Dy të rinjtë u dërguan me urgjencë në Spitalin e Shkodrës nga punonjësit e lokalit, por fatkeqësisht 22 vjeçari Indrit Hylli ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, kurse Jetmir Molla kishte plagë vetëm në këmbë dhe arriti të shpëtonte.
Eljon Hato mundi të arratisej dhe u arrestua nga Forcat Operacionale në qytetin e Laçit vetëm një vit më pas, në 3 Maj 2015, teksa ndodhej nën shoqërinë e të vëllait. Gjykata e Shkodrës kishte caktuar ndaj këtyre dy shtetasve masat e sigurisë “Arrest me burg”.
I riu nga Shkodra u dërgua në Burgun e Shënkollit ku dyshohet se porositi dhe një vrasje nga brenda qelisë.
Ai është akuzuar zyrtarisht se kishte porositur vrasjen e mjekut radiolog të Spitalit të Shkodrës, Agron Terolli. Eljon Hato kishte paguar një 21 vjeçar i cili do të kryente vrasjen, por fatmirësisht falë të dhënave në rrugë operative Policia e Shkodrës arriti ta parandalonte ngjarjen e rëndë.
Në 2015-ën, djali i mjekut Agron Terolli kishte plagosur me armë zjarri një person dhe e kishte lënë të paaftë fizikisht. Dënimin për këtë vepër penale djali i mjekut po e kryente në Burgun e Shën Kollit, ku sapo kishte shkuar dhe i riu Eljon Hato. Pista kryesore u dyshua hakmarrja, por ngjarja “u harrua” për shkak se personi që do të kryente vrasjen, 21 vjeçari Osman Mulja u arrestua teksa bëhej gati të ekzekutonte me kallashnikov në mes të Shkodrës mjekun Agron Terolli.
Është e paqartë sesi doli nga qelia Eljon Hato, pas tre vitesh, pasi në vjeshtën e vitit 2018 ai u përfshi në një konflikt me armë që ndodhi në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Shkak u bë një konflikt për këngëtaren Elvana Gjata, e cila atëkohë ishte e dashura e biznesmenit po në kërkim ndërkombëtar Ervin Mata. Ajo është ngacmuar nga shtetasi Fabiol Gaxha dhe më pas aty ka nisur një konflikt mes dy grupeve që përfundoi me plumba.
Komando Merviol Bilo, kushëri i këngëtares dhe njëherësh truprojë e Ervin Matës, i është përgjigjur të shtënave me armë zjarri nga grupi i Ervis Martinaj duke lënë të plagosur këtë të fundit dhe Eljon Haton, ndërsa viktimë mbeti truproja Fabiol Gaxha.
Këtij të fundit ju gjetën në xhepin e xhupit disa ilaçe qetësuese, pasi ai vuante nga një tumor në kokë dhe mjekët i kishin dhënë dhe pak muaj jetë. Fatkeqësisht, Fabiol Gaxha humbi jetën nga plumbat në moshën 28 vjeçare.
Viktima ishte shpallur në kërkim dy muaj para se të ndërronte jetë nga Policia e Tiranës, akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë që prej datës 27 gusht të vitit 2018. Policia njoftoi zyrtarisht se 28 vjeçari ishte i dyshuar për plagosjen e shtetasit Andi Spahiu.
Edhe për këtë ngjarje, Eljon Hato arriti t’i shpëtonte drejtësisë për shkak se nuk u gjetën prova që e implikonin.
Tre vite pas ngjarjes në lokalin në ish-Bllok, ai u shpall përsëri në kërkim nga Policia e Shkodrës sepse dyshohej se kishte marrë pjesë në një atentat të organizuar për vrasjen e shtetasit Taulant Pepaj. Atentati fatmirësisht dështoi dhe shënjestra i shpëtoi plumbave.
Të dyshuarit ishin Eljon (alias Esmeraldo) Hato dhe Shkëlzen Xhenje. Ky i fundit u arrestua dhe u dënua me më shumë se 3 vite burg nga Gjykata e Shkodrës, kurse akuza për të riun tjetër shkodran u pushua. Shkak dyshohet se ishin bërë konfliktet e vazhdueshme mes këtyre shtetasve gjatë kohës që qëndronin në Burgun e Shën Kollit.
Në verën e vitit 2023, Prokuroria e Posaçme mori dosjet hetimore nga autoritetet homologe ndërkombëtare dhe në bazë të të dhënave sekrete nga komunikimet në platformat e enkriptuara Sky ECC dhe EncroChat, rezultoi se Eljon Hato, Ervis Martinaj dhe eksponentë të tjerë të botës së krimit ishin përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale.
Prej asaj kohë, Eljon Hato është në kërkim ndërkombëtar dhe Policia e Shtetit e kërkon ngado. Newsbomb
