Finalisti i edicionit të pestë të “Big Brother VIP Albania”, Armir Shahini, ka qenë i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Ndryshe” me Elona Duro dhe Salsano Rrapi, ku ka folur gjerë për eksperiencën e tij në reality show dhe për marrëdhëniet mes ish-banorëve.
Në intervistë, këngëtari i “West Side Family” ka ndarë kujtime nga rrugëtimi i tij në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, duke treguar edhe mënyrën se si publiku ndikoi në qëndrimin dhe ecurinë e tij deri në finale.Por vëmendja kryesore e bisedës u përqendrua te çiftet e krijuara brenda BBV 5, të cilat shpesh kanë qenë në qendër të diskutimeve edhe jashtë spektaklit.Moderatorët e kanë ngacmuar Mirin me pyetjen: “Sa u beson çifteve të krijuara në Big Brother? Çfarë mendon për Mateo dhe Brikenën, janë çift real apo thjesht lojë?”Pa u shmangur nga përgjigjja, Miri u shpreh se brenda shtëpisë shumë gjëra marrin formën e lojës dhe të strategjisë për vëmendje publike.
“Atje brenda unë e kam thënë shpeshherë që ishte loja dhe e kanë shfrytëzuar si lojë në ‘Big Brother’, sepse të dy ata nuk është se kanë pasur diçka tjetër përveç historisë së dashurisë, që duam s’duam ne është interesante për publikun si do shkojë marrëdhënia e tyre”, u shpreh ai.
Sipas tij, lidhje të tilla shpesh bëhen pjesë e dinamikës së programit dhe ndikojnë drejtpërdrejt në interesin e publikut, duke e bërë garën më të ndjekur dhe më emocionale.
Megjithatë, Miri theksoi se për atë që ndodh jashtë shtëpisë nuk mund të japë gjykim, duke shtuar se nuk e di se si vijon realisht marrëdhënia e tyre pas përfundimit të BBV 5.
“Tani jashtë nuk e di fare se çfarë bëjnë”, përfundoi ai.
