Skip to content

Aktiviteti kriminal i Call-Center në Tiranë nuk eleminohet, nëse policia nuk godet bosin e tyre, Olsi Rama

Emri i Olsi Ramës si bos i rrjetit call-center në Shqipëri, u deklarua para drejtësisë gjermane, nga bosi i arrestuar i rrjetit “Milton Group”, izraeliti Mikhael Benjamin njohur me nofkën “Mishka”, por u zbulua dhe nga gazetari italian Luigi Pelazza me investigimin në Tiranë…

Goditja e aktivitetit kriminal call-center në disa pika ishte aksioni i parë me të cilin e filloi detyrën Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, në bashkëpunim me homologët italianë, gjermanë, austriakë e holandezë, shtetasit e të cilëve janë mashtruar e vjedhur nga rrjeti call-center në Shqipëri.

Policia arrestoi disa administratorë pikash call-center, sekuestroi pajisje kompjuterike e telefona në disa pika në Tiranë, por aksioni u ndërpre si me “pult” dhe aktiviteti kriminal vazhdon, duke mashtruar e vjedhur miliona euro të qytetarëve europianë.

Hetimet zbuluan se në shërbim të rrjetit call-center ishte vënë dhe kompania “One Albania”, duke mos i dorëzuar drejtësisë emrat dhe adresat IP që përdoren për aktivitetin e paligjshëm, por ndaj pronarëve dhe drejtuesve të saj policia nuk bëri procedim penal.

Arrestimet gjatë aksioneve policore, denoncimet, dëshmitë, zbërthimi i telefonave dhe gjurmimi i rrjetit call-center çuan policinë në kupolën e këtij aktiviteti që nuk preket prej 12 vitesh.

Bëhet fjalë për Olsi Ramën dhe grupin e tij të menaxhuar nga Amant Josifi, që sipas hetimeve të EUROPOL-it, drejtësisë së Spanjës dhe SPAK-ut, kanë krijuar rrjetin kriminal call-center në Shqipëri.

Emri i Olsi Ramës si bos i rrjetit kriminal call-center në Shqipëri është deklaruar nga dy bashkëpunëtorët e tij, Erindi Pysqyli dhe Berlando Saraçaj, të arrestuar nga drejtësia spanjolle në Tiranë, gjatë aksionit të përbashkët me SPAK-un në nëntor 2022.

Të njëjtën lidhje dhe pozicion të Olsi Ramës me call-centerat në Shqipëri e ka konfirmuar para drejtësisë gjermane dhe bosi i arrestuar i rrjetit maltezo-gjeorgjian-izraelit “Milton Group”, izraeliti Mikhael Benjamin, i njohur me nofkën “Mishka”.

Këtë fakt e zbuloi dhe gazetari italian Luigi Pelazza, me investigimin e tij për aktivitetin call-center në Tiranë, ku, përveç kërcënimeve, konstatoi bashkëpunimin me drejtuesit e policisë, të cilët i njoftonin para se të bënin aksionet, ngaqë, sipas gazetarit italian, bosi është Olsi Rama.

Emri i Olsi Ramës si shefi i aktivitetit call-center doli përsëri edhe gjatë aksionit që policia e shtetit bëri në muajin prill 2026, por aksioni u ndërpre kur gjurmët, dëshmitë e të arrestuarve dhe provat e grumbulluara shkonin te Olsi Rama dhe grupi i afërt i tij.

Aktiviteti kriminal call-center po vazhdon dhe do të vazhdojë, nëse Policia e Shtetit nuk godet bosin Olsi Rama, emri i të cilit e detyroi të ndërpresë aksionin, ndërsa 3 vite më parë, ish-Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, ndërpreu hetimet ndaj Olsi Ramës e Amant Josifit./Pamfleti

Published inNews