Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar në Kurbin, ku një 23-vjeçar i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane mbeti i plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë.
Bëhet me dije se në automjet së bashku me 23-vjeçarin Leonard Dema ndodhej edhe Amadeo Fufi, djali i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Mhill Fufi.
Sipas autoriteteve, dy të rinjtë kanë tentuar të përplasin me automjet efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, duke u rrezikuar jetën gjatë ndërhyrjes policore.
Gjatë operacionit, Amadeo Fufi dyshohet se kishte me vete edhe një armë zjarri, të cilën ua ka drejtuar efektivëve të policisë.
Pas ndërhyrjes së uniformave blu, 28-vjeçari Fufi është arrestuar, ndërsa Leonard Dema ka mbetur i plagosur dhe është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka shkaktuar panik në zonë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e shkëmbimit të zjarrit mes të rinjve dhe forcave të policisë.
“Në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të realizuara pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, është administruar informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim L.D, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje.
Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në momentin e ndërhyrjes, në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, 23-vjeçari, që shoqërohej nga shtetasi A. F, dhe lëvizte me automjet, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke u rrezikuar jetën, si dhe personi shoqërues iu ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë, shërbimeve të Policisë.
Shërbimet e Policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, kanë plagosur shtetasin Leonard Dema, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit A. F., 28 vjeç, që shoqëronte shtetasin në kërkim. Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë. Vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me AMP-në, dhe në drejtimin e Prokurorisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
