Skip to content

U thith pjesërisht jashtë avionit gjatë fluturimit, biznesmeni serb rrëfen momentet e tmerrit: Ajo zhurmë nuk më largohet nga mendja

Biznesmeni serb Ljubisa Karovic ka treguar për herë të parë momentet dramatike që përjetoi gjatë një fluturimi të kompanisë Ryanair nga Greqia drejt Gjermanisë, kur një dëmtim i dritares shkaktoi humbje presioni në kabinë dhe e tërhoqi pjesërisht jashtë avionit.

Në një intervistë për The Guardian, Karovic tregoi se momenti që i ka mbetur më shumë në kujtesë është zhurma e fortë që dëgjoi pak para se situata të kthehej në emergjencë.“Ajo zhurmë nuk më largohet nga mendja. Është gjëja e parë që më vjen ndërmend sa herë mbyll sytë për të fjetur”, rrëfeu ai.

Karovic ishte ulur pranë dritares, në sediljen 11F, kur ndodhi incidenti. Avioni ndodhej në një lartësi rreth 15 mijë këmbë dhe fluturonte me shpejtësi mbi 600 kilometra në orë.

Forca e dekompresionit e tërhoqi pjesërisht jashtë kabinës, ndërsa ai humbi ndjenjat dhe pësoi dëmtime në kokë, qafë, kraharor dhe krah.

61-vjeçari mendon se rripi i sigurimit ishte faktori kryesor që e mbajti gjallë.“Nuk e di nëse ishte rripi apo fati, por sot jam gjallë. Kam ende dhimbje, sidomos në qafë dhe kokë, por falënderoj Zotin çdo ditë që mbijetova”, u shpreh Karovic.

Sipas bashkëshortes së tij, Svetlana Karovic, ndihma e menjëhershme e pasagjerëve ishte vendimtare për ta rikthyer atë brenda avionit. Ajo përmendi veçanërisht një udhëtar, për të cilin dyshon se ishte shqiptar.

“Ai nuk u mendua dy herë. Ndihmoi me gjithë forcën për ta tërhequr sërish brenda avionit dhe më pas vendosi një valixhe për të bllokuar hapjen. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që bëri për ne”, tregoi ajo.

Avokati i Karovicit, Vasilis Tsiaras, ka ngritur pretendime se ndërhyrja e parë erdhi nga pasagjerët, ndërsa ekuipazhi nuk reagoi menjëherë. Këto akuza janë kundërshtuar nga kompania Ryanair, e cila ka bërë me dije se stafi ndoqi procedurat e sigurisë, uli avionin në një lartësi të përshtatshme dhe i dha ndihmën e nevojshme pasagjerit.Avioni bëri ulje emergjente në Selanik, ku Karovic mori trajtim mjekësor. Pas disa ditësh në spital, ai është kthyer në shtëpi, por mjekët i kanë rekomanduar të mbajë mbështetëse për qafën për të paktën gjashtë javë.

Pavarësisht se i mbijetoi incidentit, Karovic tregon se përvoja ka lënë pasoja të forta emocionale dhe se tashmë e ka të vështirë të udhëtojë sërish me avion.

Published inNews