Pacolli zbardh prapaskenat e forta të konfliktit për Aeroportin e Vlorës, ja skema që u përdor për ta “gjunjëzuar” dhe frikësuar, biznesmeni kosovar paralajmëron betejë në gjykatëBiznesmeni kosovar, Behgjet Pacolli përmes një postimi në rrjetet sociale, ka reaguar sërish në lidhje me bllokimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës, ku i ka dërguar një mesazh miqve dhe qytetarëve shqiptarë. Z. Pacolli shkruan se ka një sërë vendimesh që janë dhënë në disfavor të kompanisë së tij, duke i shkaktuar pasoja të mëdha. Më tej ai shkruan se Gjykata e Lartë i shfuqizoi masat duke konstatuar se ato ishin në kundërshtim me ligjin. Biznesmeni më tej thekson se ndonëse kompania e tij zotëron 98% të kuotave të shoqërisë së VIA, ajo po privohet nga e drejta për të ushtruar kontrollin dhe kompetencat që i takojnë ligjërisht. Ndërsa në fund sipërmarrësi nënvizon se ai ka besim tek drejtësia, e cila sipas tij në fund do të triumfojë.
Postimi i plotë i Pacollit
“Të dashur miq e qytetarë, (Ju lutem, nëse jeni të lodhur ose të mërzitur nga kjo temë e shumëdiskutuar, thjesht mos e lexoni, por te respektoni ata që dëshirojnë të informohen dhe ta lexojnë. Faleminderit për mirëkuptimin dhe ndjesë!) Që nga tetori i vitit 2025, një sërë vendimesh në formën e masave të sigurimit, të dhëna nga gjyqtarët Fatmir Ndreu, Mirjana Shagani dhe Miranda Nakaj, prodhuan pasoja jashtëzakonisht të rënda për shoqërinë MABCO Construction SA dhe për projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Më pas, Gjykata e Lartë i shfuqizoi këto masa, duke konstatuar se ato ishin në kundërshtim me ligjin.
Si pasojë e këtyre vendimeve, MABCO, ndonëse zotëron 98% të kuotave të shoqërisë VIA sh.p.k., u privua për muaj të tërë nga e drejta për të ushtruar kontrollin dhe kompetencat që i takojnë ligjërisht si aksionere shumicë. Vështirë se mund të gjendet një rast i ngjashëm në praktikën moderne të së drejtës tregtare, ku pronari i pothuajse të gjithë kapitalit të një shoqërie të përjashtohet nga administrimi i saj përmes masave që më pas shpallen të paligjshme nga gjykata më e lartë e vendit. Ky rast meriton të studiohet si një shembull i pasojave që sjell cenimi i sigurisë juridike dhe i të drejtës së pronës.
Këto masa krijuan gjithashtu kushtet që persona të vendosur në administrimin e shoqërisë gjatë kësaj periudhe të vazhdonin bllokimin e punimeve dhe të pengonin hyrjen e specialistëve të MABCO-s dhe të nënkontraktorëve në aeroport. Për muaj të tërë u bllokua përfundimi i një projekti strategjik, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike, financiare dhe reputacionale. Jam i bindur se për të gjitha dëmet e shkaktuara do të kërkohet përgjegjësi në rrugët ligjore dhe se secili do të mbajë përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet e veta, në përputhje me ligjin.
Dalëngadalë po shpërbëhen narrativat e pavërteta që janë ndërtuar gjatë kësaj periudhe. Besimi im tek drejtësia nuk është lëkundur kurrë. Besoj se gjyqtarët e ndershëm dhe institucionet që respektojnë ligjin do të vazhdojnë të bëjnë detyrën e tyre me profesionalizëm dhe paanshmëri. Drejtësia mund të vonojë, por kur vepron mbi bazën e ligjit dhe të fakteve, ajo triumfon”, shkroi dje biznesmeni kosovar, Behgjet Pacolli.
Çfarë tha Pacolli më 6 korrik?
Ndërkohë kujtojmë se më 6 korrik të këtij muaji, një tjetër zhvillim ka shoqëruar përplasjen ligjore për administrimin e Aeroportit të Vlorës. Biznesmeni Behgjet Pacolli njoftoi se Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka hequr masën e sigurimit që, sipas tij, pengonte administrimin e shoqërisë VIA nga ortaku mazhoritar, MABCO. Vendimi vjen pasi kompania Mabco kishte kallëzuar në SPAK gjyqtaren Miranda Nakaj, duke pretenduar se vendimet e saj ishin në kundërshtim me atë të Gjykatës së Lartë dhe kishin bllokuar ndryshimin e administratorit të shoqërisë, duke sjellë edhe pezullimin e punimeve në aeroport. “Një tjetër vendim i drejtësisë u mor sot nga Gjykata e Tiranës, e cila hoqi masat kufizuese të vendosura në mënyrë të paligjshme për administrimin e shoqërisë VIA.
Gjykata e cilësoi të paligjshëm vendimin e mëparshëm dhe hoqi çdo kufizim për administrimin e shoqërisë nga ortaku mazhoritar”, shkruan Pacolli. Më tej biznesmeni Pacolli pretendon se pikërisht për shkak të masës së sigurimit ishte bllokuar mbledhja e Asamblesë së VIA-s për ndryshimin e administratorit, ndërsa kjo situatë, sipas tij, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ka penguar nënkontraktorët të vijojnë punën në kantierin e aeroportit. “Nga sot, asnjë masë apo vendim gjyqësor nuk ka më fuqi kundër shoqërisë sonë.
Ne duam të angazhohemi sa më parë për të hapur aeroportin, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, u shpreh Pacolli. Në përfundim të reagimit të tij, Pacolli u bëri thirrje institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë, Avokaturën e Shtetit dhe Policinë, të zbatojnë vendimet e gjykatave dhe të garantojnë aksesin e MABCO-s, punonjësve dhe nënkontraktorëve në kantier, me synim përfundimin sa më të shpejtë të projektit të Aeroportit të Vlorës.
Konflikti mes Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit
Ndërkaq bëjmë me dije se vendimi i Gjykatës së Lartë i riktheu MABCO-s të drejtat e administrimit në shoqërinë koncesionare, duke ndryshuar vendimet e mëparshme të dy shkallëve të gjyqësorit. Përplasja mes MABCO dhe 2A Group krijoi një ngërç që solli vonesa në ecurinë e punimeve të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, ndërsa mbetet për t’u parë nëse rikthimi i MABCO-s në kantier do t’i japë fund konfliktit dhe do të përshpejtojë përfundimin e aeroportit. Si shkak i mosmarrëveshjeve, afatet për ndërtimin e aeroportit të janë shkelur. Më 29 maj, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi deklaroi se kompanitë kontraktore kanë 30 ditë afat për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre.
Ky ultimatum është drejt skadimit dhe siç ministri ka deklaruar për çdo ditë vonese, do të ketë gjoba e deri në prishje të kontratës koncesionare. Tri ditë para ultimatumit, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën për sigurim padie të paraqitur nga kompanitë “Vlora International Airport” dhe “2A Group” duke i dhënë të drejtë sipërmarrësit Behgjet Pacolli. Kësisoj u rrëzuan vendimet e mëparshme të Shkallës së Parë dhe Apelit. E gjithë përplasja mes tyre ka nisur muaj më parë. Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale, ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49 përqind, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB.
Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”. Menjëherë pas kësaj kompania e Ademit i kërkoi gjykatës pezullimin e veprimeve të ortakut tjetër deri në një vendim të dytë. Gjykata e pranoi aso kohe dhe bllokoi veprimtarinë e “Mabco”-s që të marrë vendime në asamble. Më pas Apeli, në janar e ndryshon pjesërisht duke vendosur një sigurim padie, që pezullonte, deri në përfundim të gjykimit, të drejtën e votës së “Mabco Constructions”, vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit, që pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi i kompanisë ‘2A Group’.
