Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka dalë me apel për qytetarët që të tregojnë kujdes dhe gatishmëri, pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) për zhvillime të fuqishme konvektive gjatë ditës së sotme.
Sipas AME-së, vendi pritet të përfshihet nga stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta, të cilat mund të shkaktojnë dëme në disa zona.
“Pranohen zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
AME ka paralajmëruar për rrezik nga përmbytjet e shpejta lokale, dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, si dhe probleme të mundshme në rrjetin elektroenergjetik dhe sistemet e telekomunikacionit.
Një rrezik i veçantë paraqitet nga goditjet e rrufesë, të cilat mund të kenë pasoja për njerëzit dhe kafshët.
Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë stuhive të shmangin qëndrimin nën pemë të larta, pranë objekteve metalike dhe shtyllave elektrike, si dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në komunikacion.
Qytetarëve u rekomandohet gjithashtu të sigurojnë sendet në ballkone dhe oborre që mund të dëmtohen nga era apo breshëri.
Ndërkohë, Njësitë e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, së bashku me Qendrat Operative Emergjente, janë në gatishmëri të plotë në të gjithë territorin e Kosovës.
Në rast emergjence, qytetarët mund të kontaktojnë numrin 112 për Qendrën Operative Emergjente, 192 Policinë e Kosovës, 193 Zjarrfikësit dhe 194 Ndihmën e Shpejtë.
