Mjaftoi vetëm një orë, që flakët të shkatërronin gjithçka.
Dhjetëra familje që banonin në kompleksin “Arlis Shpk”, pranë Farmacisë Nr. 10 në Tiranë, panë me sytë e tyre se si shtëpitë dhe kursimet e një jete u kthyen në shkrumb e hi.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë që mund të kishte përfunduar në një tragjedi njerëzore, Tv Ora News nisi një investigim të thelluar për të ndriçuar faktet që u tentuan të mbulohen me mister.
Gazetarja Alketa Çeku iu drejtua zyrtarisht Bashkisë Tiranë duke i kërkuar informacion specifik nëse:
1-Pallati që u përfshi nga zjarri ka marrë Certifikatën e Përdorimit (kolaudimin përfundimtar)?
2-Dhe nëse është kryer verifikimi i përputhshmërisë së materialeve të përdorura – përfshirë fasadën e ventiluar?
Përgjigja zyrtare e Bashkisë Tiranë është një pranim tronditës i fajit dhe i skandalit institucional.
Bashkia Tiranë pranon zyrtarisht se pallati i kompanisë “Arlis Shpk” me administrator Armand Lilon, është i jashtëligjshëm në përdorim, pasi nuk ka kaluar asnjë kontroll fazash dhe nuk disponon certifikatë përdorimi.
Në përgjigjen zyrtare ky institucion na bën me dije se “Objekti nuk është pajisur me konformitetin e akt kontrolleve sipas fazave të ndërtimit, rrjedhimisht ky objekt nuk është pajisur me certifikatë përdorimi”
