Kryeministri Edi Rama reagoi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar edhe lidhur me autokolonat e automjeteve me protestues nga diaspora, të cilët kanë mbërritur në Shqipëri për t’iu bashkuar protestës së paralajmëruar për këtë të shtunë në orën 19:00. Çështja e ardhjes së emigrantëve ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale dhe në media, pasi gjatë ditëve të fundit janë publikuar dhjetëra video që tregojnë kolona të gjata automjetesh në pikat kufitare dhe në akset kryesore të vendit.
Sipas burimeve nga mbledhja me dyer të mbyllura, Rama ka bërë një deklaratë që pritet të shkaktojë debat të gjerë publik, pasi shumë qytetarë në rrjetet sociale po ndajnë pamje që, sipas tyre, tregojnë një realitet të ndryshëm nga ai i përshkruar nga Kryeministri.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë është shprehur se autokolonat e makinave që po hyjnë në Shqipëri për protestën nuk janë aq të mbushura sa pretendohet dhe se në shumë raste në automjete ndodhet vetëm shoferi. Sipas tij, publikimi i këtyre pamjeve po përdoret për të krijuar perceptimin e një pjesëmarrjeje më të madhe dhe për të gjeneruar sa më shumë vëmendje në rrjetet sociale.
“Më vjen një video ku në Muriqan po kalojnë autokolona me makina që kanë brenda vetëm shoferin. Është e paguar, e bëjnë për viralitet”, mësohet të ketë deklaruar Rama gjatë mbledhjes.
Deklarata e Kryeministrit ka ngjallur menjëherë reagime dhe komente të shumta në rrjet. Ndërkohë që mbështetësit e tij e konsiderojnë këtë një përpjekje për të sqaruar situatën, organizatorët dhe pjesëmarrësit në protestë pretendojnë se ardhja e emigrantëve është reale dhe se interesimi për protestën është më i madh se sa paraqitet nga qeveria. Pritet që protesta e mbrëmjes së sotme të tregojë më qartë nivelin e pjesëmarrjes dhe ndikimin që do të ketë mobilizimi i diasporës në këtë tubim.
