Taulant Balla kërcënon “Neomalësoren” me padi penale për shpifje, Bajrat denoncojnë deputeten “renegate” që tradhtoi PS, a po bashkëpunon kreu socialist i grupit me bandat e krimit?
Pak orë pasi kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i bëri thirrje publike Marjana Koçekut të kallëzonte kërcënimet që pretendon se ka marrë, duke deklaruar se “Kërcënimet janë vepër penale, ashtu si moskallëzimi i krimit” dhe duke kërkuar nisjen e një hetimi paraprak nga Prokuroria e Shkodrës, në SPAK mbërriti një kallëzim nga Behar Brajoviç dhe Safet Bajri kundër deputetes për shpifje dhe kanosje. Zhvillimi i menjëhershëm ka ngritur pikëpyetje të forta, pasi linja e mbajtur nga Balla për nevojën e hetimit të Koçekut duket se përkon me qëndrimin e personave që vendosën ta denoncojnë atë në Prokurorinë e Posaçme. Teksa deputetja pretendon se familjarët e saj janë kërcënuar pas largimit nga PS dhe qëndrimeve të fundit politike, reagimi i menjëhershëm i Bajrave përmes kallëzimit në SPAK ka shtuar diskutimet nëse kemi të bëjmë vetëm me një “përplasje ligjore” apo me një zhvillim që po ushqen dyshimet për raportet mes politikës dhe figurave të përfolura ndër vite në kronikat kriminale.
Detaje nga kallëzimi i Bajrave
Në kallëzimin e bërë ndaj Neomalsores nga Behar Brajoviç dhe Safet Bajri, me avokat mbrojtës Sokol Tahirajn, thuhet se deputetja nuk ka provuar para organeve kompetente deklaratat e bëra në rrjetet sociale. “Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, thuhet në postimin e bërë nga Koçeku më datë 17 në Facebook dhe Instagram. Bajrat e Shkodrës thonë në kallëzimin e depozituar në SPAK se nuk ekziston asnjë provë që vërteton se kanë kërcënuar deputeten ose familjen e saj. Përveç kësaj, në denoncimin që ka shkuar në SPAK thuhet se deklaratat e deputetes Koçeku cenojnë reputacionin e të gjithë fisit Bajri Më tej, Behar Brajoviqç dhe Safet Bajri pretendojnë se zotimi “unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën” i Koçekut, është qartazi kërcënim i hapur, ndaj kërkohet nga SPAK hetimi edhe për veprën penale kanosja. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku la të kuptohej se ishte kërcënuar nga fisi i Bajrave, mesazhi ndaj të cilëve ishte me një gjuhë po me tone të forta paralajmëruese, duke thënë se nëse i prekin familjen do t’i shkatërrojë.
Zhvillimet vijnë vetëm pak ditë pasi Koçeku njoftoi largimin nga grupi parlamentar i PS. Më 14 qershor, përmes rrjeteve sociale, ajo shpalli shkëputjen nga shumica që e çoi në Kuvend. Një ditë më pas, deputetja publikoi simbolin e flamingos, tashmë të lidhur me protestat që prej javësh po zhvillohen në vend. Mesazhet vijuan më pas me tone edhe më politike. Në një postim, Koçeku u shfaq duke u lutur në një kishë, ndërsa në një tjetër sfidoi hapur kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar shpërndarjen e Parlamentit dhe zgjedhje të reja. Në kampin socialist reagimet nuk munguan. Zëra të ndryshëm i kërkuan deputetes të dorëzonte mandatin, me argumentin se ai është fituar nën siglën e Partisë Socialiste. Megjithatë, sipas burimeve nga parlamenti, në Kuvend nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare nga Marjana Koçeku për largimin nga grupi parlamentar apo kalimin e saj në statusin e deputetes së pavarur.
Alarmi në Kuvend
Gjithashtu dje në Kuvend, deputeti Erald Kapri ngriti shqetësimin për kërcënimet e pretenduara ndaj Koçekut, duke kërkuar sqarime nga institucionet nëse asaj i është garantuar mbrojtja e nevojshme. Gjatë fjalës së tij, Kapri u ndal te denoncimi publik i bërë nga Koçeku, e cila ka deklaruar se është kërcënuar nga grupi i Bajrave, dhe pyeti nëse Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës kanë ndërmarrë masa për sigurinë e saj. “Nuk kemi dëgjuar nga ju në lidhje me denoncimin publik që ka bërë deputetja Koçeku se po kërcënohet nga një prej bandave të Shqipërisë. Duam të dimë nëse keni pasur kontakt, nëse Ministria e Brendshme dhe Garda e kanë marrë në mbrojtje deputeten, sepse fakti që mungon do të thotë që e ka të vështirë të kryej funksionin e saj”, tha Kapri.
