Skip to content

E PAPRITUR/ Miratohet ligji drastik që prek të gjithë shqiptarët! Ja çfarë do ju ndodhë nëse …

Kuvendi miratoi paketën e re të masave që ashpërson ndëshkimet për drejtimin nën efektin e alkoolit, përdorimin e celularit dhe shkeljet e shoferëve pa patentë.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 84 vota ndryshimet në Kodin Rrugor, një paketë e gjerë masash që synon rritjen e sigurisë në rrugë dhe ashpërsimin e ndëshkimeve për shkelësit.

Ndryshimet, të propozuara nga deputetët socialistë Erion Braçe dhe Ulsi Manja, sjellin rregulla të reja për shoferët e rinj, masa më të forta ndaj drejtuesve që kapen në gjendje të dehur dhe ndëshkime më të ashpra për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjeteve.

Një nga risitë kryesore të ligjit është heqja e përhershme e patentës për drejtuesit që kapen përsëritës duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit. Sipas ndryshimeve të miratuara, nëse një shofer konstatohet me mbi 0.5 gram alkool për litër gjak dhe është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, në rast përsëritjeje do t’i hiqet përgjithmonë leja e drejtimit.

Ligji vendos gjithashtu një regjim të posaçëm prove për shoferët e rinj gjatë dy viteve të para pas marrjes së patentës. Për këtë kategori parashikohet tolerancë zero ndaj alkoolit, kufizim shpejtësie deri në 90 km/h në autostrada dhe 80 km/h jashtë qendrave të banuara, si dhe ndalim qarkullimi nga ora 24:00 deri në 06:00 pa një shoqërues që disponon patentë prej të paktën tre vitesh.

Shkelja e këtyre rregullave do të dënohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh. Nëse shoferi i ri kryen dy shkelje, periudha e provës do të zgjatet edhe me një vit tjetër.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me përdorimin e telefonit celular. Ndalimi nuk do të vlejë më vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për ata që përdorin biçikleta, motomjete deri në 50 cc dhe monopatina me motor.

Paketa e re ashpërson edhe masat ndaj personave që drejtojnë mjetin pa patentë. Përveç pasojave penale, personat e kapur pa leje drejtimi nuk do të mund të regjistrohen në autoshkollë për një vit. Për të miturit, ndalimi do të zgjasë deri në dy vjet nga momenti kur fitojnë të drejtën ligjore për të aplikuar për patentë.

Po ashtu, Kuvendi miratoi rritjen e gjobave për manovrat e rrezikshme dhe agresive në rrugë. Ndëshkimet për ndryshimet e shpeshta të korsive pa sinjalizim, sjelljet agresive dhe veprimet që krijojnë rrezik për përdoruesit e rrugës rriten nga 10-40 mijë lekë në 20-60 mijë lekë.

Sipas propozuesve, ndryshimet synojnë uljen e numrit të aksidenteve, rritjen e sigurisë rrugore dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet europiane në këtë fushë.

Ndryshimet e propozuara:

Neni 6

Në nenin 127, pika 3.1, bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “shkelur.” hiqet fjalia “I njëjti rregull aplikohet edhe për lejet e drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar në rastin kur kundërvajtësi jep pëlqimin.”

Neni 7

Në nenin 139 bëhen këto ndryshime:

Në pikën 5, pas togfjalëshit “shpejtësi” shtohen fjalët “duke sjellë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës, sidomos në zonat urbane, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në rrugë”.

Në pikën 7 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Pas togfjalëshit “tërheqëse” hiqen fjalët “të barrës dhe të shalës”.

Në pikën 8 bëhet ndryshimi si më poshtë:

Masa e gjobës “nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë” bëhet “nga njëzet mijë deri në gjashtëdhjetë mijë lekë”.

Para nenit 5 të projektligjit shtohen nenet 9 dhe 10 me këtë përmbajtje, ndërsa neni 5 rinumërohet neni 11:

Neni 9

Titulli i nenit 171 ndryshohet nga “Përdorimi i syzeve optike dhe i aparateve të tjera gjatë drejtimit të mjetit” në “Përdorimi i aparateve telefonike dhe i pajisjeve digjitale të komunikimit, i syzeve optike dhe i pajisjeve të tjera gjatë drejtimit të mjetit”.

Në nenin 171, pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2 me këtë përmbajtje:

“2.1 Ndalohet gjithashtu përdorimi i telefonit celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve të tjera, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 ç dhe monopatinat me motor.

2.2 Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është vendosur kushti për korrigjimin e të metave organike ose të aftësive të ulëta anatomike a funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.”

Në pikën 4, pas togfjalëshit “neni”, fjalët “tre herë brenda të njëjtit vit” zëvendësohen me fjalët “dy herë brenda të njëjtit vit”.

Neni 10

Në nenin 184, pas pikës 11 shtohet pika 11.1 me këtë përmbajtje:

“11.1 Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat e këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjakun e drejtuesit të mjetit dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.”

Published inNews