Të hënën mbrëma u mbajt finalja e edicionit të tretë të spektaklit “Ferma VIP”, ku pas një rrugëtimi të gjatë dhe plot sfida, fituese u shpall shkrimtarja dhe poetja e njohur Mimoza Ahmeti.
Ky triumf u pasua me organizimin e festës të përfundimit të këtij edicioni, ku i gjithë ekipi u mblodh për të festuar suksesin e korrur gjatë këtyre muajve.
Në këtë festë të pranishëm ishin ish-fermerët, opinionistët e programit, si dhe mbarë stafi e ekipi i madh realizues që punoi prapaskenave për mbarëvajtjen e formatit.
Mirëpo ajo që ra menjëherë në sy dhe u kthye në temën kryesore të diskutimit ishte një mungesë mjaft e rëndësishme.
Në festë nuk u panë askund moderatorja e këtij edicioni, Arbana Osmani, dhe partneri i saj, njëherësh regjisori i spektaklit, Eduart Grishaj.
Kjo mungesë e papritur e dyshes kryesore të projektit ka ngritur pikëpyetje të mëdha te të pranishmit dhe jo vetëm.
Sipas burimeve brenda festës, kjo lëvizje ka qenë plotësisht e papritur për të gjithë.
“Ishte e habitshme. Të gjithë i prisnin, por asnjëri nuk erdhi”, ka thënë për “Prive By Liberta Spahiu” një nga pjesëmarrësit që ishte i pranishëm në këtë festë.
Përtej mungesës në festë, zhvillime të reja priten në vazhdimësinë e programit. Mësohet se Arbana Osmani nuk do të jetë më as nën moderimin e emisionit përmbledhës të “Post Ferma”.
Mungesa e tyre natën e mbrëmshme ka sjellë edhe dyshime në rrjet se nëse pas kësaj fshihet diçka tjetër.
A e ka përmbyllur përfundimisht Arbana pjesëmarrjen e saj në këtë format, apo bëhet fjalë për angazhime të tjera që ia bënë të pamundur praninë? Gjithçka pritet të kuptohet me kohën.

