Një lajm i trishtë është mësuar paraditen e kësaj të enjte, pasi është ndarë nga jeta gjinekologu i parë shqiptar në Maqedoni, doktor Ferit Vojnika.
Lajmi i trishtë është mësuar nga reagimet e shumta të bëra në rrjet ditën e sotme ku shkruhet se Ferit Vojnika, një nga figurat më të shquara të mjekësisë shqiptare ka mbyllur sytë përgjithmonë.
Për vite me radhë, doktor Vojnika dha një kontribut të vecantë në mjekësinë shqiptare, pasi në një periudhë kur mjekësia në vendin tonë ishte në hapat e para, ai kreu studimet dhe specializimet në Shkup e Beograd si dhe shërbeu për disa vite në Gjakovë. Pak vite më pas ai u rikthye në vendlindjen e tij, në Dibër të Madhe.
Një nga figurat më të shquara të mjekësisë
Ferit Vojnika do të kujtohet si një ndër mjekët më të përkushtuar ndaj pacientëve, pasi në periudhën kur kushtet nëpër spitale ishin tejet të vështira, doktori arriti të kryente me sukses shumë ndërhyrje kirurgjikale, të cilat ndërmerreshin përsipër vetëm nga klinikat e mëdha universitare.
Përveçse një mjek i cili i dedikoi një jetë pacientëve të tij, Vojnika la pas dhe një vepër të shkruar prej tij, “Dibra nëpër urat e kohës” përme së cilës ai dokumentoi vështirësitë e hasura ndër kohë të nga intelektualët dibranë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

