Skip to content

E trishtë/ Ndahet nga jeta prezantuesja shumë e njohur

Patrizia Caselli, një nga figurat më të njohura të televizionit italian gjatë viteve ’80 dhe ’90, është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare.

Aktorja, këngëtarja dhe prezantuesja e njohur kishte zbuluar vetë në vitin 2024 se vuante nga kanceri në mushkëri, një sëmundje me të cilën po përballej prej kohësh.

E lindur në Udine më 13 maj 1960, Caselli e nisi karrierën në reklama dhe kinematografi, duke bashkëpunuar edhe me regjisorin e njohur Nanni Loy. Popullaritetin më të madh e fitoi në televizionet private të Lombardisë, ku u kthye shpejt në një nga fytyrat më të dashura për publikun.

Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj ishte puna në Telealtomilanese përkrah Walter Chiarit, me të cilin pati edhe një lidhje sentimentale që zgjati disa vite.

Caselli arriti kulmin e karrierës me emisionin “Detto fra noi” në Rai 2, një format pasditeje që konsiderohet pararendës i programeve moderne të aktualitetit televiziv në Itali.

Megjithatë, në vitin 1994 ajo mori një vendim që habiti publikun: braktisi televizionin dhe karrierën e saj për t’u transferuar në Tunizi, pranë ish-kryeministrit italian Bettino Craxi.

Marrëdhënia mes Casellit dhe Craxit kishte nisur në fund të vitit 1990, pak përpara shpërthimit të skandalit politik “Tangentopoli”, që tronditi Italinë.

Kur Craxi u largua drejt Hammametit në Tunizi, për t’i shpëtuar proceseve gjyqësore, Caselli vendosi ta ndiqte, duke lënë pas jetën publike dhe mundësitë profesionale. Ajo qëndroi pranë tij gjatë viteve më të vështira, deri në vdekjen e ish-liderit socialist në vitin 2000. Në intervistat e saj të fundit, prezantuesja kujtonte izolimin, vështirësitë dhe zhgënjimet që përjetoi Craxi gjatë mërgimit, por edhe lidhjen e fortë që i bashkoi deri në fund.

Me ndarjen nga jeta të Patrizia Casellit mbyllet historia e një prej figurave më të njohura të ekranit italian, e cila në kulmin e suksesit zgjodhi të hiqte dorë nga fama për të ndjekur dashurinë e saj.

Një zgjedhje që e largoi përgjithmonë nga dritat e televizionit, por që mbeti pjesë e pandashme e historisë së saj personale./Top Channel

Published inNews