Skip to content

Ja sabotimet e mëdha greke ndaj Shqipërisë, nga “Club Med” në Kakome, Porti i Durrësit dhe lufta ndaj investimeve

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë prej vitesh nuk janë më thjesht marrëdhënie fqinjësore, por një përballje e hapur, ku Athina zyrtare po përdor çdo mjet për të penguar zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Prapa fasadës së fqinjësisë së mirë, fshihet një strategji e mirëfilltë sabotimi, e cila ka për qëllim që Shqipëria të mbetet gjithnjë e varur dhe e pazhvilluar, në favor të monopoleve greke në rajon. Kronika e këtyre sabotimeve është e gjatë, por ne po përmendim në këtë artikull goditjet më të rënda që fillojnë nga bllokimi i projektit gjigand të kompanisë franceze “Club Med” në Kakome, për të vazhduar me lojërat e pista në tenderin e Portit të Durrësit dhe, së fundmi, me histerinë antishqiptare kundër investimeve të familjes Trump në Zvërnec. Ajo që ka ndodhur në këto projekte strategjike nuk është rastësi, por një operacion i koordinuar. Athina, duke shfrytëzuar rrjetet e ndikimit, shërbimet inteligjente dhe ushtarët e saj në politikë brenda territorit shqiptar, është përpjekur të krijojë bllokada të heshtura për çdo investim që do ta kthente Shqipërinë në një konkurrues serioz në Mesdhe. Gazeta “Sot” sjell sot detajet e kësaj strategjie djallëzore.

Rasti i Kakomesë

Zanafilla e kësaj strategjie të strukturuar sabotimi daton me projektin për zhvillimin e Gjirit të Kakomesë nga gjiganti francez “Club Med”. Ky investim, i cili synonte ta shndërronte bregdetin e Jonit në një destinacion të klasit botëror, u bllokua përmes një ndërthurjeje të konflikteve pronësore dhe presionit të hapur diplomatik e politik nga Athina. Përdorimi i ekstremit të djathtë grek për të nxitur protesta nacionaliste dhe për të mbajtur zonën në një gjendje stanjacioni u interpretua asokohe si një operacion i mirëfilltë për të penguar një investim që do të thyente dominimin grek mbi turizmin në rajon. Kakomeja u shndërrua kështu në simbolin e parë të një “bllokade të heshtur”, ku interesat gjeopolitike triumfuan mbi zhvillimin ekonomik.

Rasti i Portit të Durrësit

Megjithatë, sabotimi më i sofistikuar dhe i dëmshëm u shpalos së fundmi me projektin e Portit të Porto Romanos. Strategjia këtu ishte sa e thjeshtë, aq edhe shkatërruese për interesin kombëtar shqiptar. Në garën për këtë nyje strategjike detare, u përjashtuan fillimisht disa kompani gjigande perëndimore që kishin ekspertizën dhe kapitalin për ta realizuar projektin, duke hapur rrugën për futjen në lojë të kompanisë greke “Archirodon”. Kjo lëvizje rezultoi të ishte një kurth i mirëfilltë. Pasi kompania greke siguroi pozicionin e saj në tender, ku u evidentuan edhe shkelje ligjore flagrante, si heqja e garancisë së ofertës prej 8 milionë eurosh, ajo ndërmori një veprim të papritur dhe shkatërrues duke u tërhequr nga tenderi në momentin final. Ky akt nuk ishte një dështim tregtar, por një “sabotim i programuar”. Duke u tërhequr me argumentin se lufta në Iran rriti çmimet, kompania la Shqipërinë në një ngërç të plotë, pa port dhe me afate të humbura. Rezultati i këtij operacioni është kristal i pastër: Shqipëria humbi kohë dhe mundësi të çmuara, ndërsa porti grek konsolidon monopolin e tyre në rajon, duke përfituar nga mungesa e një infrastrukture shqiptare konkurruese. Është një shembull klasik se si një aktor i huaj “saboton nga brenda” një projekt shtetëror për të siguruar përfitimin afatgjatë të fqinjit.

Rasti i Zvërnecit

Ky front sabotimi u përshkallëzua në mënyrë alarmante së fundmi me investimet e familjes Trump në Zvërnec. Ky projekt, që ndërthur kapitalin amerikan me vizionin për zhvillimin e jugut, ka shkaktuar një histeri të vërtetë në mediat helene. Gazetat dhe portalet greke kanë shpërthyer në një fushatë të egër, duke e cilësuar zonën si pjesë të “Vorio Epirit” dhe duke u përpjekur të nxisin një frymë nacionaliste anti-shqiptare, duke ndërlidhur pretendimet për pronat e minoritetit grek me gjoja “shqetësimet mjedisore”. Por, siç ka denoncuar e para gazeta “Sot”, ky është vetëm fasada e një skandali të madh spiunazhi, ku me zbardhjen e lidhjeve të drejtpërdrejta të Athinës me protestuesit e Zvërnecit zbuloi se agjentë të shërbimeve greke ishin infiltruar për të përgatitur trazira të rënda. Këta agjentë, të koordinuar me elementë opozitarë brenda vendit, organizuan sjelljen me autobusë të grekëve për të shfrytëzuar kauzën mjedisore si mburojë për një axhendë që synon sabotimin e investimit të familjes së Trump.

Published inNews

Comments are closed.