Skip to content

Ky është teksti që familja e Vuçiçit donte ta hiqte me çdo kusht nga interneti

Gjykata Themelore e Podgoricës ka rrëzuar padinë e Aleksandar Vuçiçi, e cila ishte ngritur përmes familjarit të tij Andrej Vuçiçi kundër gazetës malazeze “Vijesti”, kryeredaktorit dhe gazetarëve të saj, lidhur me publikimin e materialeve të përgjuara nga aplikacioni “Sky”.

Sipas vendimit të gjykatës, publikimi i këtyre materialeve është në interes të qartë publik, pasi lidhet me çështje të sigurisë, korrupsionit të dyshuar dhe lidhjeve të pretenduara mes politikës dhe krimit të organizuar në rajon. Gjykata theksoi se Andrej Vuçiçi, si figurë e lidhur ngushtë me një lider politik dhe pjesëmarrës indirekt në jetën publike, nuk mund të trajtohet si person privat në kuptimin e plotë të fjalës dhe për këtë arsye duhet të pranojë një nivel më të lartë të kritikës dhe kontrollit mediatik.

Në padi, Andrej Vuçiçi kishte kërkuar 5 mijë euro dëmshpërblim për cenim të nderit, reputacionit dhe dinjitetit, si dhe fshirjen e plotë të artikullit me titull “Zvonko dhe Andrej festuan miliardën…”, të publikuar më 23 janar 2024. Po ashtu, ai kërkonte edhe publikimin e vendimit gjyqësor në portal dhe mbulimin e shpenzimeve të procedurës nga pala e paditur.

Megjithatë, gjykata i rrëzoi të gjitha kërkesat e tij, duke vlerësuar se gazeta ka vepruar në kuadër të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për t’u informuar mbi çështje me rëndësi të lartë shoqërore dhe institucionale.

Në arsyetimin e saj, gjykata paralajmëroi se heqja e materialeve të tilla nga interneti do të krijonte një “chilling effect”, pra një efekt frikësues ndaj mediave, ku gazetarët dhe redaktorët do të shmangnin raportimin për tema të ndjeshme nga frika e padive dhe presioneve ligjore. Sipas saj, një praktikë e tillë do të përbënte rrezik serioz për lirinë e medias dhe funksionimin e demokracisë.

Materialet e publikuara nga “Vijesti”, të bazuara në komunikime të përgjuara të aplikacionit “Sky”, përmbanin referenca ndaj figurave politike, strukturave të sigurisë dhe rrjeteve kriminale në rajon, përfshirë përmendje të pretenduara për grupe kriminale, biznese të dyshimta dhe lidhje të nivelit të lartë në Serbi dhe Mal të Zi.

Published inNews