Skip to content

Lajm i dhimbshëm! Ndahet nga jeta ish kryetari i Bashkisë së madhe shqiptare. Dha një kontribut të jashtëzakonshëm

Mëngjesin e kësaj të premte një lajm i trishtë erdhi nga ish-kryebashkiaku i Vlorës dhe tanimë ambasadori i Shqipërisë n Zvicër, Ermal Dredha. Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Dredha ndau me ndjekësit humbjen e të atit, Neki Dredhës.

Doktor Neki Dredha ishte një nga figurat më të dashura dhe të respektuara për vlonjatët. Për dekada me radhë ai shërbeu si mjek në qytetin bregdetar, duke fituar mirënjohjen e qytetarëve për profesionalizmin, humanizmin dhe përkushtimin ndaj njerëzve në nevojë. Emri i tij lidhet ngushtë me shërbimin ndaj komunitetit dhe kontributin në sistemin shëndetësor të Vlorës.

Krahas profesionit të mjekut, ai u angazhua edhe në jetën publike dhe politike lokale, duke drejtuar Bashkinë e Vlorës në periudhën 1998-2000, një kohë e vështirë dhe sfiduese për qytetin pas trazirave të fundviteve ’90. Ai konsiderohej si një ndër drejtuesit vendorë që kontribuoi në administrimin dhe stabilizimin e qytetit në një periudhë delikate për vendin.

Për kontributin e tij të gjatë dhe të çmuar në shërbim të qytetit, në vitin 2013 Dredha u nderua me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Vlorës. Gjithashtu, ai mbante edhe vlerësime të tjera të rëndësishme si “Anëtar Nderi i Shoqatës së Dëshmorëve të rrethi Vlorë”, “Personalitet i shquar i Labërisë” si dhe ishte vlerësuar me “Çertefikatë Mirënjohjeje” nga Universiteti i Mjekësisë në Tiranë.

Përtej angazhimit në mjekësi dhe jetën publike, Neki Dredha ishte edhe një njeri i apasionuar pas letërsisë dhe publicistikës. Ai botoi disa libra me karakter memorialistik dhe publicistik kushtuar historisë së mjekësisë shqiptare dhe figurave të njohura të saj. Një nga veprat më të njohura mbetet poema narrative “Labëria Magjike”, e cila pasqyronte lidhjen e tij të fortë me traditën, kulturën dhe trevën e Labërisë.

Humbja këtë mëngjes e doktor Neki Dredhës, një funksionari të lartë dhe një të majti “7 karatësh””, ashtu si dhe vlonjatët e quanin me nderime, ka lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe qytetarët e shumtë që e njohën nga afër. Vlonjatët pa dyshim do ta kujtojnë si një mjek me zemër të madhe, një drejtues të përkushtuar dhe një intelektual që i shërbeu qytetit të tij me dinjitet për shumë vite.

Ngushëllime familjes Dredha, të afërmve dhe gjithë miqve të tij!

Published inNews