Humb jetën papritur djali i John McCain, nuk bëhet i ditur shkaku
Douglas McCain, djali i madh i senatorit të ndjerë amerikan John McCain, është ndarë papritur nga jeta në moshën 66-vjeçare.
Lajmi u konfirmua përmes nekrologjisë së familjes, ku bëhet e ditur se ai ndërroi jetë të mërkurën, më 20 maj, ndërsa shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.
Douglas Shepp McCain lindi më 4 tetor 1959 në Pensacola, Florida, dhe u rrit në Jacksonville. Ai përfundoi shkollën e mesme Episcopal High School në vitin 1977 dhe më pas studioi inxhinieri sistemesh në Universitetin e Virxhinias, ku ishte gjithashtu pjesë e programit ushtarak ROTC të Marinës.
Lajmin e trishtë e ndau edhe Meghan McCain, vajza e senatorit, përmes një postimi emocional në rrjetet sociale.


“Jam thellësisht e trishtuar të ndaj lajmin për humbjen e papritur të vëllait tim Doug McCain. Ai ishte një njeri i mrekullueshëm, plot gëzim, që më ka mbështetur gjatë gjithë jetës sime. Sillte humor, energji dhe biseda të bukura kudo ku ndodhej,” shkroi ajo.
Në përshkrimin e familjes, Douglas kujtohet si një mik besnik, bir i përkushtuar, bashkëshort i dashur, baba dhe gjysh krenar.
Ai la pas bashkëshorten Ashley Jardine McCain, me të cilën kishte 40 vite martesë, dy fëmijët e tij, nipin, nënën Carol Shepp McCain, si dhe motra e vëllezër të tjerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
