Një ngjarje e rëndë me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e së hënës në qytetin El Ejido, ku si pasojë e të shtënave kanë humbur jetën dy persona dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, përfshirë “El País”, mes të plagosurve ndodhen edhe dy të mitur, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e rënduar. Autori i dyshuar i sulmit është ende në arrati.
Burime paraprake theksojnë se i dyshuari mund të ketë pasur lidhje të mëparshme me viktimat, megjithatë motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe nën hetim.
Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Gardës Civile spanjolle, përfshirë njësi të ndërhyrjes së shpejtë, si dhe shërbimet emergjente, të cilat kanë ofruar ndihmën e parë për të plagosurit. Autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
