Skip to content

Po dërgonte ndihma në Gaza, arrestohet nga izraelitët aktivisti shqiptar! Ministria e Jashtme: Po merremi me rastin

Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, pjesë e flotiljes humanitare “Sumud” me destinacion Gazën, është arrestuar nga autoritetet izraelite në ujërat ndërkombëtare.

Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, rasti është marrë në ndjekje përmes kanaleve diplomatike, me qëllim sigurimin e informacionit dhe garantimin e të drejtave të shtetasit shqiptar.Goxhaj ishte pjesë e një misioni humanitar që synonte dërgimin e ndihmave në Gaza, ndërsa arrestimi i tij ka ndodhur gjatë lundrimit të flotiljes “Sumud”.Ministria thekson se është në komunikim me autoritetet izraelite dhe po kërkon informacion të plotë mbi rrethanat e ndalimit, si dhe sigurimin e aksesit konsullor në përputhje me konventat ndërkombëtare.

Po ashtu, institucioni ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e Goxhajt dhe po e ndjek çështjen me prioritet.

Reagimi i plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është vënë në dijeni për rastin e shtetasit shqiptar Baki Goxhaj, i cili ndodhet në bordin e flotiljes “Sumud”.

Përmes kanaleve diplomatike, Ministria është vënë prej momentit të parë në komunikim me autoritetet izraelite kompetente për të siguruar informacion të plotë mbi situatën dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasit shqiptar, përfshirë aksesin konsullor, në përputhje me praktikat dhe konventat ndërkombëtare.

Ministria po e ndjek çështjen me prioritet të plotë dhe mbetet në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e zotit Goxhaj, si dhe do të informojë në vijim mbi procedurat e mëtejshme që pritet të ndërmerren.

Published inNews