Skip to content

“Taranto 2026”, mundja vesh Shqipërinë me ar dhe argjend në “Lojërat Mesdhetare”

Adriatik BALLA

Mundja shqiptare po e justifikon plotësisht praninë e saj në Lojërat Mesdhetare që po zhvillohen në Taranto, Itali. Pas medaljes së bronzit që mori Ardit Zeneli, në mundjen klasike, dje ishte radha e mundjes së lirë të shprehej në pedanë. Dy mundësit që janë pasazportizuar shqiptarë vitet e fundit, Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev, kishin siguruar që prej dy ditësh finalen. Dje ata bënë paraqitje të mirë dhe luftuan deri në fund për fitore dhe medalje të artë. Por vetëm njëri ia doli, kurse tjetri u mjaftua me medalje të argjendtë. Padiskutim që ky është një rast suksesi jo vetëm për mundjen shqiptare, por edhe në tërësi për ekipin kombëtar shumëdisiplinor që na përfaqëson në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Dudaev rrëmben të artën

Shqipëria mori dje medaljen e parë të artë në Lojërat Mesdhetare. Një medalje të tillë e fitoi Islam Dudaev në mundjen e lirë. Ai e mposhti mundësin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Fati Vejseli. Në fakt Vejseli u lëndua dhe kështu fitorja në finale të kategorisë deri 74 kilogramë në stil të lirë i takoi Dudaevit të Shqipërisë. Dudaevi u tregua dominues në këtë duel dhe e udhëhoqi suksesin nga fillimi në fund të duelit. Dudaev është nga Dagestani i Rusisë, por prej vitit 2022 garon për Shqipërinë. Tashmë ka medalje të bronztë olimpike, medalje të artë e të bronztë evropiane dhe medalje të artë e të bronztë mesdhetare. Për shqiptarin nga Shkupi, Vejseli, medalja e argjendtë është sukses i madh.

LEXO MË SHUMË!  Video/ Prenga e tronditi botën, por Joshua u ngrit dhe e mbylli me nokaut në raundin e dytë

Zelimkhan Abakarov mjaftohet me medalje argjendi

Mundësi tjetër i Shqipërisë, Zelimkhan Abakarov, që po ashtu është me origjinë nga Dagestani, fitoi medalje të argjentë. Ai u mposht në finale të kategorisë deri 65 kilogramë, në stil të lirë. Humbi 4:2 nga Ahmet Duman i Turqisë. Në fakt, Abakarov bëri performancë të mirë dhe iu afrua ndjeshëm medaljes së artë. Sidoqoftë, edhe medalja e argjendtë është një sukses i rëndësishëm i tij dhe i mundjes shqiptare në këtë aktivitet. Kujtojmë që Abakarov, njëjtë si Dudaev, i ka sjellë Shqipërisë shumë medalje nga garat e mëdha europiane e botërore, përfshi edhe titull botëror. Medalje olimpike Shqipërisë i ka sjellë edhe mundësi Çermen Valiev, i ardhur nga republikat ruse.

LEXO MË SHUMË!  "'E manipuluar, duan që Messi të mos eliminohet"/ Trajneri i Egjiptit del kundër FIFA-s: Pse na thirrët kur doni kaq shumë që ...

Zeneli, medalje në mundjen klasike

Medalja e parë zyrtare e Shqipërisë në “Taranto 2026” mban “vulën” e Ardit Zenelit në stilin e greko-roman për kategorinë e peshave 67 kg. Zeneli e nisi me një fitore të bukur me rezultatin 11-3 kundër italianit Jacopo Sandron. Më pas u mposht në gjysmëfinale nga algjeriani Fajsal Benfredj me rezultatin 3-5, për t’u rikthyer me sukses të dielën, duke mposhtur grekun Stavros Ntounias me rezultatin 9-8, për të festuar me medalje bronzi, e 50-ta në histori për Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare. Ndërkohë, për sa u përket mundësve të tjerë kuqezi, Kevin Kupi regjistroi një fitore dhe dy humbje në stilin greko-roman për peshat 77 kg, duke i ndalur në duelin e ripeshkimit për bronzin. Bajram Sina u eliminua në duelin e parë në peshat 60 kg, ndërsa në stilin e lirë për peshat 125 kg, Paris Karepi e mbylli me një fitore dhe dy humbje rrugëtimin e tij.

Published inSport