Skip to content

Si u bë Rrahman Selmanllari “pronar” i Ksamilit dhe kujt ia “shiti” tokat?

Kush fshihet realisht pas pronave në Ksamil?

Vrasja e turistit 20-vjeçar ka rikthyer vëmendjen te Ksamili, një prej zonave më të lakmuara të turizmit shqiptar. Por përtej kronikës së ditëve të fundit, hoteleve luksoze, resorteve dhe plazheve që promovohen çdo verë, Ksamili fsheh një histori shumë më të vjetër dhe me shumë para në mes: historinë e pronave.

Kush e zotëron sot Ksamilin? Si u krijuan pronarët e mëdhenj të një territori ku dikur dominonte prona shtetërore? Si kaluan sipërfaqe të mëdha toke në duar private dhe kush janë përfituesit që shfaqen në fund të zinxhirit?

Një prej emrave kryesorë në këtë histori është Rrahman Selmanllari.

“Pamfleti” ka raportuar më herët se Selmanllari është bërë përfitues i një sipërfaqeje që arriti deri në 137 hektarë tokë në Ksamil, përmes një historie pronësie të shoqëruar me katër vendime gjyqësore të dhëna gjatë viteve 2006-2009 nga ish-gjyqtari i Sarandës Petrit Aliaj.

Nuk bëhet fjalë për disa parcela periferike, por për 1.37 milionë metra katrorë tokë në një prej zonave që sot ka ndër vlerat më të larta të pronës në bregdetin shqiptar.

Sipas të dhënave, historia nis me rreth 250 mijë metra katrorë, ose 25 hektarë, ndërsa sipërfaqja e njohur më pas u zgjerua deri në 137 hektarë, duke përfshirë edhe zonën e njohur si “Teqeja e Zallit”.

LEXO MË SHUMË!  Vjen njoftimin që nuk do donim ta dëgjonim! Policia jep lajmin e keq për Tiranën

Në qendër të procesit gjyqësor del emri i Petrit Aliajt.

Katër vendime të njëpasnjëshme të Gjykatës së Sarandës gjatë viteve 2006-2009 ndryshuan hartën e pronësisë. “Pamfleti” ka raportuar se në proces janë përdorur dokumente pronësie të kontestuara si të falsifikuara dhe se përmes vendimeve gjyqësore sipërfaqja e njohur u zgjerua disa herë.

Por Selmanllari nuk është interesant vetëm për shkak të sipërfaqes së jashtëzakonshme të tokës që shfaqet në këtë histori.

Emri i tij është prej vitesh i lidhur publikisht me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Pamfleti” ka raportuar vazhdimisht për marrëdhënien e afërt mes Selmanllarit dhe Shkëlzen Berishës, duke ngritur dyshime se pas disa prej interesave ekonomike dhe pronësore të Selmanllarit mund të qëndrojnë interesa të lidhura me djalin e ish-kryeministrit.

Pikërisht periudha kur u dhanë vendimet për tokat në Ksamil e bën këtë lidhje edhe më interesante për t’u hetuar.

Vendimet kryesore për pronësinë janë dhënë gjatë viteve 2006-2009, në një periudhë kur Sali Berisha drejtonte qeverinë dhe Shkëlzen Berisha ishte një prej njerëzve me ndikim të konsiderueshëm pranë pushtetit të kohës.

Kjo përkon me periudhën kur Rrahman Selmanllari shfaqet si një prej biznesmenëve më të afërt me Shkëlzen Berishën.

Prandaj pyetja që ngrihet nuk është vetëm se si u bë Selmanllari pronar i 137 hektarëve, por edhe nëse ai ishte përfituesi përfundimtar ekonomik i gjithë kësaj pasurie.

LEXO MË SHUMË!  Njerku plag*si rëndë me thkë djalin e bashkëjetueses, emrat dhe detajet

Kush qëndronte realisht pas tokës?

Në emër të kujt mbahej?

Dhe çfarë ndodhi me të pasi përfundoi procesi i njohjes dhe regjistrimit?

Historia bëhet edhe më e fortë kur në vitin 2013 Prokuroria e Vlorës nisi hetime për tjetërsimin e pronave në Ksamil.

Sipas raportimeve, tre ish-zyrtarë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Petraq Puleri, Besnik Dine dhe Emiljana Pandazo, u dënuan për shpërdorim detyre.

Por këtu shfaqet paradoksi.

Zyrtarët u përballën me drejtësinë, ndërsa pasuria që ishte prodhuar nga procesi mbeti në qarkullimin juridik.

Dhe pikërisht në këtë pikë fillon pjesa ndoshta më interesante e dosjes së Rrahman Selmanllarit.

Sepse nuk mjafton të zbulohet vetëm mënyra se si u morën tokat.

Duhet ndjekur se ku shkuan më pas.

Kujt ia “shiti” Selmanllari parcelat? Cilët biznesmenë apo ‘bosë krimi’ shfaqen në transaksionet pasuese?

“Pamfleti” do të sjellë në vijim pjesën tjetër të kësaj dosjeje: rrugën që kanë ndjekur tokat pasi përfunduan në duart e Rrahman Selmanllarit dhe emrat që shfaqen pas tyre.

Sepse pyetja e parë është: Si u bë Rrahman Selmanllari “pronar” i 137 hektarëve në Ksamil?

Por pyetja që mund të zbulojë se kush përfitoi realisht është një tjetër: Kujt ia “shiti” Selmanllari tokat? /Pamfleti

Published inNews