Një ngjarje e rëndë ka tronditur Pejën, ku një 34-vjeçar është gjetur pa shenja jete në rrugën “Zhul Selmani”.
Viktima është identifikuar si Arjanit Çetaj, ndërsa sipas informacioneve ai është djali i rapsodit të njohur Hasan Çetaj.
Menjëherë pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, hetuesit dhe ekipi mjekësor. Pas ekzaminimeve fillestare, mjekët kanë konstatuar vdekjen e 34-vjeçarit.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur ekzaminimin e vendit të ngjarjes, ndërsa në koordinim me Prokurorinë kompetente janë ndërmarrë veprimet e para hetimore për të sqaruar rrethanat në të cilat ndodhi vdekja.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur shkakun e vdekjes dhe as nëse dyshohet për ndonjë vepër penale. Trupi i pajetë pritet t’u nënshtrohet procedurave të parapara ligjore, përfshirë ekzaminimet mjeko-ligjore, të cilat pritet të hedhin më shumë dritë mbi rastin.
Lajmi për vdekjen e Arjanit Çetajt ka pikëlluar familjarët, miqtë dhe të njohurit e tij, ndërsa ngjarja ka shkaktuar reagime edhe në qytetin e Pejës, ku familja Çetaj njihet gjerësisht përmes veprimtarisë artistike të rapsodit Hasan Çetaj.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim dhe pritet të dalë me informacione shtesë pasi të përfundojnë veprimet e para në vendin e ngjarjes.
