Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me operacionin policor në Sarandë, ku u arrestuan pesë të rinj të dyshuar se po përgatiteshin të kryenin një ngjarje të rëndë kriminale.
Sipas burimeve, të gjithë të arrestuarit kanë precedentë penalë në fushën e narkotikëve. Hetuesit dyshojnë se ata kishin udhëtuar drejt fshatit Gjashtë me qëllim ekzekutimin e një personi, ndërsa motivi dhe objektivi i mundshëm vijojnë të verifikohen.Mësohet se pesë të rinjtë lëviznin me dy automjete. Në momentin që ndaluan në një rrugicë të fshatit Gjashtë, dy prej tyre, Alfred Kaja dhe Sidorel Moriseni, dyshohet se po kontrollonin armët, kur policia ndërhyri dhe i arrestoi në flagrancë.Burimet bëjnë me dije se ata u kapën pranë banesës së Rexhep Ismailit, i cili u vra në lokalin e tij në Qafë Gjashtë në muajin maj të këtij viti. Grupi hetimor po verifikon nëse prania e tyre në atë zonë lidhet me këtë ngjarje apo nëse ka qenë rastësore.
Të arrestuarit janë marrë në pyetje, por deri më tani kanë zgjedhur të mos japin deklarime para hetuesve. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht qëllimin e lëvizjeve të tyre dhe për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
