Skip to content

E trishtë/ U nda nga jeta tragjikisht në moshën 54-vjeçare, një nga emrat më të njohur të sportit dhe autor i 12 kërkimeve shkencore (EMRI-Foto)

Sporti dhe akademia shqiptare janë tronditur nga një lajm i hidhur. Ka ndërruar jetë Prof. Asoc. Dr. Artan Pogoni, një nga emrat e njohur të edukimit fizik, sportit dhe administrimit sportiv në vend.

Pogoni u nda nga jeta pak orë më parë në Vlorë, si pasojë e një infarkti (sulmi në zemër), duke lënë pas një karrierë të gjatë të ndërtuar mes auditorëve universitarë, fushave sportive dhe institucioneve drejtuese.

Ai mbante detyrën e Shefit të Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Fakultetin e Shkencave Sociale, Turizmit dhe Sportit të Universitetit “Barleti”, si dhe ishte anëtar i Senatit Akademik të këtij institucioni.

LEXO MË SHUMË!  Po dërgonte ndihma në Gaza, arrestohet nga izraelitët aktivisti shqiptar! Ministria e Jashtme: Po merremi me rastin

Me një formim të gjerë akademik, Doktor Shkencash dhe me katër diploma universitare, Artan Pogoni ia kushtoi jetën zhvillimit të shkencave të sportit, veçanërisht në fushat e rekreacionit sportiv, metodologjisë së stërvitjes dhe edukimit fizik.

Ai ishte autor i 12 publikimeve shkencore dhe dy teksteve universitare, ndërsa kishte kontribuar edhe në projekte ndërkombëtare akademike përmes programeve Tempus dhe Erasmus+, duke promovuar shkëmbimin e eksperiencave dhe modernizimin e sportit shqiptar.

Përtej karrierës akademike, Pogoni ishte i angazhuar drejtpërdrejt në sportin elitar. Ai ka qenë drejtor sporti në Bashkinë e Tiranës, ndërsa në vitet e fundit ishte një nga figurat drejtuese të Barleti Volej, ku ka kontribuar edhe si trajner i ekipit të femrave.

LEXO MË SHUMË!  E BUJSHME/ Qeveria miraton paketën e re të vendimeve, nga shpronësimet te zhvillimi i ekonomisë malore

Emri i tij ishte i pranishëm edhe në debatet publike për problematikat e sportit shqiptar, ku shpesh ka ngritur shqetësime për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të federatave sportive.

Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humbet një pedagog, studiues dhe kontribues të rëndësishëm të sportit. Kolegë, studentë dhe sportistë kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një profesionisti që për shumë vite punoi për edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj.

Artan Pogoni do të kujtohet si një nga zërat e rëndësishëm të lidhjes mes shkencës dhe sportit në Shqipëri./Top Channel

Published inNews