TIRANË – Aktivisti Arben Kola u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës që do të zhvillohet nesër përpara Parlamentit, duke njoftuar se grumbullimi do të nisë në orën 08:00, ndërsa marshimi në orën 08:30.
Duke komentuar dokumentin e propozuar nga kryeministri, të quajtur “Besa”, Kola u shpreh kritik ndaj tij, duke e cilësuar si një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet kryesore.
Në deklaratën e tij, aktivisti përdori edhe gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit, duke thënë se nuk ka besim tek ai dhe duke e akuzuar për keqqeverisje gjatë viteve të fundit.
Arben Kola: “Ftojmë çdo shqiptar që nesër në orën 08:00 të jetë në shesh. Në orën 08:30 do të nisë marshimi drejt Parlamentit. Duket se herën e kaluar deputetët nuk i mbaruan pazaret dhe kanë lënë disa votime për nesër. Ajo që po propozohet është thjesht një shpërqendrim i vëmendjes.
Sa i përket dokumentit ‘Besa’, unë i zë më shumë besë një qeni sesa një politikani si kryeministri. Shqiptarët janë vjedhur, janë tallur dhe tani po shitet Shqipëria. Për njerëzit e pabesë nuk ka besë. Ne do të vazhdojmë protestat deri në realizimin e pesë kërkesave tona. Nuk ka kthim pas.”
