Një masiv i madh shkëmbor është shembur në aksin nacional Burrel–Klos, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit.
BURREL – Një masiv shkëmbor është shembur mbrëmjen e sotme në aksin nacional Burrel–Klos, në zonën e njohur si “Shkëmbi i Kuq”.
Si pasojë e rënies së shkëmbinjve, qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor është kufizuar dhe po zhvillohet vetëm në një korsi, duke sjellë vështirësi për drejtuesit e mjeteve.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të Policisë Rrugore, të cilët po monitorojnë situatën dhe po menaxhojnë trafikun për të shmangur rreziqet gjatë lëvizjes së automjeteve.
Autoritetet u kanë bërë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë aks, deri në ndërhyrjen për normalizimin e situatës.
