Një 52-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali pasi akuzohet se shkaktoi një aksident fatal dhe u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa analizat mjeko-ligjore treguan se ai drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit dhe kokainës.
Ngjarja ndodhi më 27 prill në Castel d’Aiano, në provincën e Bolonjës. Sipas mediave italiane, shqiptari po drejtonte një automjet tip “Mercedes GLC 250” kur përplasi për vdekje 69-vjeçarin Gaetano Martone, i cili po ecte në drejtim të qendrës së qytetit.
Pas aksidentit, 52-vjeçari nuk ndaloi për t’i dhënë ndihmë viktimës, por u largua nga vendi i ngjarjes, duke braktisur automjetin rreth 500 metra më tej.
Makina u gjet me xham të thyer, gjurmë gjaku dhe airbag të hapur, ndërsa drejtuesi ishte larguar. Hetuesit dyshojnë se ai tentoi të humbte gjurmët duke ikur në këmbë përmes fushave, por u identifikua dhe u lokalizua brenda një kohe të shkurtër nga karabinierët.
Fillimisht, shqiptari u arrestua për akuzat e vrasjes rrugore, largimit nga vendi i aksidentit dhe mosdhënies së ndihmës, ndërsa ndaj tij u vendos masa e arrestit shtëpiak.
Sipas raportimeve, ai refuzoi fillimisht t’i nënshtrohej alkooltestit të policisë, por më pas pranoi të kryente analizat e gjakut në spital.
Rezultatet laboratorike të kryera nga AUSL Romagna treguan se 52-vjeçari kishte nivel alkooli 2.0 gramë për litër gjak, rreth katër herë mbi limitin e lejuar, ndërsa rezultoi pozitiv edhe për një metabolit të kokainës.
Për pasojë, autoritetet italiane shtuan ndaj tij edhe akuzat për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve, disa kalimtarë njoftuan menjëherë ambulancën pas aksidentit, por 69-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Nga ana tjetër, shqiptari mohoi fillimisht përfshirjen në aksident, duke pretenduar se kishte dalë nga rruga pa goditur njeri. Megjithatë, provat e gjetura në automjet dhe rezultatet e analizave laboratorike, sipas autoriteteve italiane, rrëzuan versionin e tij.
