Nga sulmet ndaj Dritan Goxhajt te shpallja “non grata” e Ikballe Hudutit. Kryeministri ka aktivizuar patronazhistët, ministrat, deputetët, SHISH-in dhe Antiterrorin në një ofensivë të gjerë për të delegjitimuar protestën, duke pretenduar se pas saj fshihen ndikime të huaja.
Edi Rama ka vënë në lëvizje të gjithë makinerinë e pushtetit për të zhbërë protestën qytetare.
Për herë të parë në 35 vite, qytetarët kanë 26 ditë që dalin në protesta masive kundër qeverisë dhe kastës politike. Kjo padyshim e ka trembur Ramën, i cili po e mban mandatin e tretë mes skandaleve dhe korrupsionit. Duke e ditur se tani numërimi ka nisur mbrapsht, Rama i ka hedhur në sulm me kuç e me maç për të zhbërë protestën dhe për të frikësuar protestuesit.
Elementi kryesor që po përdor kryeministri është linçimi. Prej disa ditësh po shigjetohen figura të caktuara në protestë. Fillimisht ishte Dritan Goxhaj, të cilin e lidhën me Iranin, e cilësuan agjent, tentuan t’i mohojnë angazhimin në UÇK etj. Me pak fjalë, iu futën në të gjithë biografinë dhe nuk i lanë gjë pa thënë. Përveç Ramës, u aktivizuan patronazhistët, ministrat dhe deputetët, të cilët prej disa ditësh po bëjnë një sulm të koordinuar ndaj protestës dhe atyre që marrin pjesë. Pra, ajo që Rama e cilësoi “lufta e algoritmit”, pasi janë porositur të gjithë që të jenë aktivë në rrjetet sociale dhe të sulmojnë sa më shumë.
Por përveç intimidimeve në rrjetet sociale, në lëvizje janë vënë edhe organet shtetërore, si SHISH, Policia dhe Antiterrori. Dritan Goxhaj u mor dje në pyetje nga Antiterrori për disa deklarime që ka bërë kohë më parë, teksa sot policia e procedoi penalisht me argumentin se ka udhëhequr dje marshimin e protestës, duke bllokuar rrugët.
Ndërkohë, sot Rama bëri “goditjen e madhe”, duke pretenduar se Irani ka sjellë agjentë në Tiranë. Kryeministri gjeti një zonjë, e cila njihet vetëm për gafat dhe asgjë tjetër, duke e shpallur madje edhe të padëshiruar, pasi ka bërë thirrje pro Iranit.
Mirëpo ministri i tij i Brendshëm, Besfort Lamallari, e ka nxjerrë zbuluar sot, pasi në një intervistë pranoi se shërbimi inteligjent ka hetuar për të.
“Është bazuar në informacionet e inteligjencës. Vendimmarrja është bazuar në informacionet e inteligjencës, është e duhur, në dobi të vendit tonë. Edhe çdo informacion që ata kanë disponuar, që me kalimin e kohës konkludohet në faktin që veprimtaria e personit përbën kërcënim, çon në vendimmarrje të tillë”, tha ai.
Pra, duket se Rama ka vetëm një qëllim: të delegjitimojë protestën, duke pretenduar se pas saj fshihen shërbimet e huaja. Dhe ka aktivizuar gjithë makinerinë shtetërore, pasi SHISH dhe Antiterrori po fotografojnë dhe po mbledhin informacion për këdo që shkon në protestë.
Vetë disa prej nismëtarëve të protestë kanë denoncuar me dhjetarë raste kur policët filmojnë dhe fotografojnë personat në protestë nga tarraca e Kryeministrisë. Po ashtu edhe gjatë marshimit ka shumë persona civilë nga SHISH, policia apo Antiterrori që i ndjekin dhe i identifikojnë.
Por një gjë Rama nuk e fsheh dot. Protesta lindi nga qytetarët dhe po mbahet në këmbë prej tyre. Vendet armike ndoshta duan të përfitojnë, por revolta në fakt buron nga kalbja e kësaj qeverie dhe e kësaj kaste politike. /Pamfleti
