Ka humbur jetën edhe adoleshenti i tretë që po trajtohej në gjendje kritike pas ngjarjes tragjike të ndodhur në plazhin L’Arrabassada të Tarragonës, në verilindje të Spanjës.
Me vdekjen e tij, numri i viktimave ka shkuar në tre, pasi të tre të miturit që mbetën të bllokuar në një zonë shkëmbore pranë bregdetit nuk arritën t’u mbijetonin plagëve të marra.
Ngjarja ndodhi të premten e kaluar, kur një grup të rinjsh po notonin në zonën Cova del Gos, mes plazheve L’Arrabassada dhe El Miracle. Sipas autoriteteve, tre prej të rinjve arritën të ktheheshin vetë në breg, ndërsa tre të tjerët kishin nevojë për ndërhyrjen e menjëhershme të ekipeve të shpëtimit.
Një 12-vjeçar humbi jetën ditën e ngjarjes, pavarësisht përpjekjeve të shpëtimtarëve për ta reanimuar. Dy adoleshentët e tjerë, të dy 13 vjeç, u transportuan në gjendje kritike në Spitalin Joan XXIII në Tarragona. Njëri prej tyre ndërroi jetë më vonë, ndërsa tashmë është konfirmuar edhe vdekja e të riut të tretë.
Tragjedia ka tronditur komunitetin lokal. Bashkia e Tarragonës shpalli zi zyrtare pas humbjeve të para, ndërsa autoritetet dhe banorët kanë shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave. Ngjarja konsiderohet si një nga incidentet më të rënda të regjistruara në brigjet katalanase në fillim të këtij sezoni veror.
