Skip to content

LAJM I FUNDIT/ Aksion tjetër i Prokurorisë dhe policisë

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Tiranës kanë ndërmarrë këtë të martë një operacion të ri kundër call center-ave mashtrues, në bashkëpunim me autoritetet austriake.

Aksioni është në vijim dhe lidhet me hetimet e nisura prej disa muajsh për një skemë të gjerë mashtrimi financiar që synonte qytetarë të vendeve europiane.

Operacioni i sotëm konsiderohet vazhdim i goditjes së ndërmarrë në muajin prill, kur autoritetet shqiptare dhe ato austriake çmontuan tre call center-a mashtrues që ushtronin aktivitetin e tyre në 12 zyra të ndryshme në Tiranë.

Sipas hetimeve, përmes platformave të rreme të investimeve dhe kontakteve telefonike, grupet kriminale dyshohet se u kanë zhvatur deri në 50 milionë euro qytetarëve europianë.

Gjatë operacionit të zhvilluar në prill, në pranga përfunduan 10 persona, ndërsa u sekuestruan rreth 900 mijë euro cash, pajisje elektronike dhe dokumente që shërbyen si prova për aktivitetin e paligjshëm.

Ndërkohë, kontrollet dhe veprimet hetimore vijojnë, ndërsa pritet që autoritetet të dalin me një njoftim zyrtar mbi rezultatet e aksionit të kësaj të marte.

Published inNews