Skip to content

Vrasja në Paskuqan ku humbi jetën 27-vjeçari, policia bën njoftimin URGJENT

Vrasja pas sherrit në kalçeto: Gjendet e braktisur në Bovillë makina e të dyshuarit Sadik Llani, RENEA blindon zonën malore

Operacioni i Policisë së Tiranës për kapjen e 39-vjeçarit Sadik Llani, i cili akuzohet për vrasjen me plumb në kokë të 27-vjeçarit Ardian Baloshi pas një konflikti në një fushë kalçetoje, ka kaluar në një fazë intensive. Përmes këqyrjes së kamerave të sigurisë, grupi hetimor ka arritur të gjurmojë itinerarin e arratisë së autorit të dyshuar, i cili ka lëvizur në drejtim të Liqenit të Bovillës.

Në kuadër të këtij kërkimi, forcat speciale RENEA kanë gjetur të braktisur automjetin me të cilin udhëtonte 39-vjeçari, pikërisht në afërsi të liqenit.

Një kontroll i imtësishëm po i bëhet mjetit, me qëllim që ekspertët të gjejnë sende të kundërligjshme brenda tij, si dhe prova që mund të çojnë në lokalizimin e të kërkuarit.

Ndërkaq, përgjatë mbrëmjes së kaluar, trupat e elitës kanë ushtruar kontrolle të rrepta në rreth 15 objekte të ndryshme dhe kanë shtrirë krehjen e terrenit edhe në zonën e thyer malore të Krujës, ku dyshohet se mund të fshihet i kërkuari.

Aksioni i forcave RENEA po vijon pa ndërprerje edhe gjatë ditës së sotme për lokalizimin e Llanit. Paralelisht me kërkimet në terren, strukturat hetimore kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje 8 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen ose lëvizjet e autorit, mirëpo dëshmitë e tyre nuk kanë sjellë të dhëna me vlerë për grupin e hetimit, duke e mbajtur situatën ende mjaft kritike.

Published inNews

Comments are closed.