Tre persona kanë humbur jetën, ndërsa 10 të tjerë janë plagosur, shtatë prej tyre në gjendje të rëndë, si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi pranë fshatit Çelopëçene, afër Sofjes.
Mes viktimave janë dy pasagjerë të autobusit, një 27-vjeçar dhe një 31-vjeçar, ky i fundit ndërroi jetë pasi u transportua në spital. Viktima e tretë, gjithashtu mashkull, humbi jetën në spitalin “Shën Ana” në Sofje.
Sipas hetimeve paraprake, përgjegjës për aksidentin konsiderohen drejtuesit e dy automjeteve, të cilët po lëviznin me shpejtësi mbi 150 kilometra në orë. Njëri nga automjetet goditi anash autobusin e linjës 119, duke bërë që ai të përmbysej në rrugë.
Autoritetet bullgare kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie, ndërsa të plagosurit po marrin trajtim mjekësor në spitalet e kryeqytetit.

Comments are closed.