Një reagim i reperit Noizy ka shkaktuar debat të madh në rrjetet sociale, pasi artisti komentoi protestat që po zhvillohen kundër projektit të shumëdiskutuar në Zvërnec.
Edhe pse postimi u fshi pak kohë më vonë, pamjet e tij janë shpërndarë gjerësisht në rrjet, duke nxitur reagime të shumta nga qytetarët dhe përdoruesit e mediave sociale.
Në mesazhin e publikuar, Noizy u shpreh kundër pretendimeve se Shqipëria po “shitet”, ndërsa deklaroi se nuk do t’i bashkohet protestave dhe se mbështet investimin e planifikuar në zonë.
Reperi argumentoi se prej vitesh shtetas të huaj kanë investuar dhe blerë prona në Shqipëri, duke marrë si shembull qytetin e Durrësit. Ai theksoi se nuk beson teoritë që lidhen me shitjen e vendit dhe se është pro investimeve të mëdha që, sipas tij, sjellin zhvillim ekonomik.
Megjithatë, ajo që ka ngjallur më shumë reagime ka qenë gjuha e përdorur në postim, e cila është konsideruar nga shumë qytetarë si fyese ndaj protestuesve dhe atyre që kanë ngritur shqetësime për të ardhmen e zonës së mbrojtur të Zvërnecit.
Pas publikimit të screenshot-eve, komentet në rrjet janë shtuar ndjeshëm, me shumë persona që kanë kritikuar qëndrimin e reperit, ndërsa të tjerë kanë mbështetur të drejtën e tij për të shprehur mendimin personal mbi çështjen.


Comments are closed.