Qeveria greke ka konfirmuar shpërndarjen e një ndihme financiare prej 150 eurosh për çdo fëmijë, një masë që pritet të përfitohet nga qindra mijëra familje, përfshirë edhe mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis bëri të ditur se pagesat do të realizohen gjatë muajit qershor dhe se përfitues do të jenë rreth 1 milion familje në të gjithë vendin.
Sipas autoriteteve greke, ndihma do të jepet automatikisht, pa pasur nevojë për aplikim. Qytetarët duhet vetëm të sigurohen që llogaria bankare (IBAN) të jetë deklaruar saktë në sistemin tatimor grek.
Paketa financiare është menduar për familjet me fëmijë të mitur, si dhe për familjet që kanë anëtarë në varësi, përfshirë persona me aftësi të kufizuara apo fëmijë madhorë që nuk mund të vetëmbahen.
Shuma e përfitimit rritet në bazë të numrit të fëmijëve. Familjet me një fëmijë do të marrin 150 euro, ndërsa ato me më shumë fëmijë mund të përfitojnë deri në 900 euro ose më shumë.
Autoritetet greke bëjnë me dije se përzgjedhja e përfituesve do të bazohet në deklaratat tatimore të vitit 2025, ndërsa fondi total i kësaj skeme arrin në rreth 240 milionë euro.
