Skip to content

E bujshme, shkundet shteti, arrestohen 29 persona

Autoritetet turke kanë ndaluar 29 persona, në kuadër të një hetimi për korrupsion të dyshuar, që lidhet me një kompani të gjelbërimit në varësi të bashkisë së Stambollit, raportoi sot agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”.

Operacioni është pjesë e hetimeve në vijim mbi aktivitetet e dyshuara të një organizate kriminale të krijuar nën udhëheqjen e Ekrem Imamoglu”, kryebashkiakut të arrestuar të Stambollit dhe një figure kyçe të opozitës, sipas zyrës së kryeprokurorit të Stambollit.

Sipas prokurorëve, grupi dyshohet se ka manipuluar procedurat e prokurimit publik dhe ka ndikuar në proceset e tenderëve. Një tjetër i dyshuar mbetet ende jashtë vendit dhe po kërkohet për t’u ndaluar.

“Mes të arrestuarve është edhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i qytetit, ndërsa autoritetet kanë kryer gjithashtu kontrolle në kompaninë e shërbimeve të pemëve, në varësi të bashkisë”, raportoi gazeta “Cumhuriyet”.

Ky operacion shënon një zgjerim të mëtejshëm të hetimeve ndaj kompanive dhe zyrtarëve të lidhur me bashkinë e Stambollit, të cilat janë cilësuar si të motivuara politikisht, nga përfaqësuesit e opozitës.

Qeveria turke i hedh poshtë këto pretendime, duke këmbëngulur se hetimet janë pjesë e procesit të rregullt gjyqësor.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur opozitën, për valë të reja hetimesh dhe operacionesh për dyshime për korrupsion.

Published inNews